Revista prestigjioze britanike “Condé Nast Traveller” ka renditur Beratin ndër 10 qytetet europiane më ekonomike e më të bukura për t’u shijuar në vitin 2023. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro e cila ndau në rrjetet sociale edhe videon promovuese të publikuar nga revista.
‘O Berat ç’e pate fat’. Që sot miliona njerëz të cilët ndjekin median ndërkombëtare ‘Condé Nast Traveller’ morën sugjerimin për të vizituar Shqipërinë dhe Beratin që bëhet pjesë e 10 qyteteve më ekonomike e më të bukura për t’u shijuar në vitin 2023” – shkruan Kumbaro.
Revista prestigjioze britanike “Condé Nast Traveller” e përshkruan Shqipërinë si një vend “par excellence” të turizmit kulinar falë resurseve që i ka falur natyra, traditës së mbajtur gjallë ndër breza dhe punës së palodhur të shefave të kuzhinës që e kanë risjellë kuzhinën e traditës në versionin më të mirë të saj.