Kryeministri Rama ka kërkuar sërish ‘timonin e qeverisë’. Në thirrjen ‘Më jepni timonin’, Rama ka shtrirë sërish dorën tek populli, për një reflektim në 25 prill. Gjatë kësaj fushate elektorale, kreu i qeverisë e ka parë të udhës për të rikthyer një slogan të vjetër, por që vlen në çdo kohë pasi ‘nuk ka date skadence’. Rama riktheu sot në prezantimin e planit të socialistëve për shërbimet ndaj qytetarëve, kërkesën për timonin, ashtu si në vitin 2017. Rama u shpreh se ka vetëm një timon që e ka marrë në zgjedhjet e shkuara, që e kërkon prapë, pasi do ta kthejë Shqipërinë në të ardhmen për djalin e tij të vogël.
“Sa shumë keni vuajtur ju që ngisni makinat. Këtu nuk flas për vete, se unë nuk e ngas makinën. Unë një timon makine kam, atë që më dhatë dhe e dua prapë. Dua që e ardhmja të jetë për djalin tim të vogël”, tha Rama.
Gjatë fjalës së tij, Rama premtoi një ‘shtet online’, ku çdo shërbim do të merret përmes telefonit në xhepin e qytetarëve, pa qenë nevoja të presë në radhët e sporteleve. Shefi i qeverisë tha se me punën e bërë nga qeveria me revolucionin digjital, është bërë i mundur përballimi i sfidave të pandemisë. Po kështu shtoi se gjatë qeverisjes së tij, janë eleminuar marrja dhe grumbullimi i radhëve nëpër institucione. Bizneset vetëm me një klikim online, mund të bëjnë të mundur dhe marrjen apo dhënien e të dhënave për të cilat kanë nevojë.
Fjala e Ramës
“Në ndonjë moment kur kam kohë të lirë, shikoj komentet tuaja në faqet e mia sociale. E ndesh shpesh pakënaqësinë tuaj, padurimin tuaj, ndjenjën e mungesës së një optimizmi për atë që vjen, por nga ana tjetër kam përshtypjen e plotë dhe bindëse se kur me shumë të drejtë ju kërkoni më shumë, ju doni më shumë patjetër. Meritoni më shumë, harroni se nga jemi nisur. Harroni se sa shumë është bërë në çdo drejtim dhe gjërat kanë ndryshuar.
Një e shkuar shumë e afërt shumë kujt i ngjanë një histori e largët, edhe pse ishte vetëm 7 vite më parë koha kur të gjithë ju për të marrë një copë letër çfarëdo qoftë duhet të rrinte në radhë.
Kujtohuni se sa në shumë radha iu është dashur të qëndroni, që nga nxënësit e maturës tek pensionistët në moshën më të thyer, për të marrë një vërtetim pensioni. Sa shumë radha keni bërë për çdo copë letër. Dhe sa shpesh iu është dashur të ballafaqoheni me fytyrën indiferente, fyese dhe poshtëruese “Ik, hajde nesër, ik, ik, kthehu”.
Dhe në sa shumë raste ju është dashur të paguheni për të kaluar radhën, dhe për të gjetur një rrugë më të shkurtër që ajo copë letër t’ju vijë në dorë. Ju kujtohet që mirë dritat i vinin sipas humoreve të perëndisë dhe natyrës. Edhe kur duhet të paguajnë ato faturat afrofe, duhet të rrinit në radhë. Në rrugë, në shi, në diell për të paguar. A ju kujtohet se në sa shumë raste, ata që kanë pasur nevojën për të marrë dokumente, ju është dashur të kërkoni një mik, një emër, një mbiemër për t’ju ardhur në dorë ajo e shkretë copë letër. Këto ishin sportelet tuaja, ky ishte shteti deri përpara 7 vitesh.
Kjo ishte ajo që ndodhi pas sporteleve të zymtë, ku një dorë zgjatej e tërhiqej për të marrë sa dhjetëra dokumente që ju vetë duhet të grumbullonit për një vërtetim të vetëm, dhe sa shpesh ajo dorë që merrte dosjen tuaj zgjatej drejt jush me një zë krejt indiferent që thoshte ik plotësoje. Po sot? Natyrisht ka edhe sot jo pak njerëz që duan të shkojnë në sportele, por kush nuk do të shkojë në sportel. Nuk ka nevojë të shkojë, sepse janë 1207 shërbime nga 3 a 4 që ishin deri para 7 vitesh, ose e thënë ndryshe 95% e shërbimeve, në xhepin tuaj, në iphonen tuaj ose kompjuterin e shtëpisë tuaj. Kjo përveç të tjerave ka lidhje edhe me korrupsionin.
Me ato fjalë që janë bërë makthi i shoqërisë sonë. Nëse shohim se sa shumë prej jush janë spostuar nga sportelet, te ndërveprimet me shtetin, llogaritja është shumë e thjeshtë. Po aq ka rënë edhe korrupsioni. Sot është tkurrur masivisht së paku në atë nivel, ku ishte masivisht raporti qytetar-shtet. 1% ishin shërbime online deri para 7 vitesh. Kur ne kemi filluar revolucionin digjital, kemi numëruar gjithsej 51 mijë aplikime për shërbime të pamarra të asaj kohe. Janë 7.7 mln aplikime të bëra në vitin 2020, me përgjigje të marrë. 50 mijë shqiptarë ishin të regjistruar, sot janë 1 000 087 shqiptarë. Deri në 2013 numri total i transaksioneve ishin 680 000, sot janë 145 000 000. Që mund të shtohen dhe do të shtohen sa më shumë të rritet pjesëmarrja, dhe sa më pak njerëzit në vend që të ankohen për vonesën të përdorin platformën. Është shumë e thjeshtë. Dhe më e rëndësishme për një shumë të madhe dokumentesh që shteti lëshon, duhej një numër dokumentesh të tjerë për të bërë aplikimin. Revolucioni nuk mund të bëhej pa e çuar tepsinë për skrap.
Vazhdon dhe do e transformojë këtë vend në një vend ku shteti është në xhepin e qytetarit, për të marrë nga telefoni kërkesën për ta kthyer në një dokument të plotësuar. Për qytetarin dhe biznesin, për të voglin dhe të madhin, të riun dhe të moshuarin. Shqipëria lider në qeverisjen digjitale, në rajonin tonë ndërkohë që ishte bishti i kavallit deri 7 vite më parë”.