“Arian Gosa më kërcënoi dy herë se do më vriste mua dhe familjen time, ndaj unë e vrava”.
Kështu ka deklaruar Habib Rexha përpara grupit hetimor, lidhur me ekzekutimin e kryer më pasditen e 21 Majit në qytetin e Kavajës.
Është siguruar dosja e plotë hetimore të ngjarjes së rëndë, ku mbeti i vrarë Arian Gosa.
Në deklarimet e tij Habib Rexha shpjegon se si e përgatiti vrasjen e Goses, si dhe faktin se armën tip pistoletë e bleu në kufi me Kosovën për 200 Euro.
“Arian Gosën e kisha ndeshur dy herë përpara ngjarjes në qytetin e Kavajës teksa ndihmoja vëllain tim në biznesin që kishte. Sa herë më ka parë më është drejtuar duke më thënë se do të më zhduk mua dhe familjen time. I ndjerë i frikësuar dhe në ankth që ndonjë nga familjarët e mi mund të pësonte fatin e vëllait tim të ndjerë, Altin Rexha, kam shkuar në Kukës në kufi dhe kam marrë kontakt me një Kosovar, të cilit i kam kërkuar të më gjejë një armë zjarri. Ai më ka siguruar një pistoletë TT që ia kam blerë për 200 Euro”.
Më tej në dëshminë e tij, ai tregon se i lindi ideja për ta vrarë Arian Gosës sapo e pa tek lokali ku ndodhi ngjarja.
“Më datë 21 Maj pasi kam ndenjur tek puna e vëllait deri në orën 16:00- 17:00 kam marrë makinën Volksëagen Tuareg, dhe kam shkuar tek lokali ku ndodhi ngjarja. Ndërkohë pistoletën e kisha me vete dhe e kisha të mbushur. Sapo kam hypur tek shkallët e lokalit kam vënë re Arian Gosën të shoqëruar me një person tjetër të cilin nuk e njihja. Menjëherë më lindi ideja për ta vrarë, kam nxjerrë pistoletën dhe e kam qëlluar. Më pas ika me vrap dhe mora makinën të cilën e kisha lënë rreth 200-300 metra larg”.
Përpara hetuesve, Habib Rexha ka shfaqur pendesë megjithatë ai ka shtuar se gjithçka e ka bërë nga frika.
Vrasja Arian Gosës, është vazhdim i përplasjeve mes familjeve Gosa dhe Rexha. Konflikt ky që ka zanafillat që në 29 Mars të 2023, ku në Kavajë u vranë Edmond Gosa, vëllai viktimës dhe Altin Rexha i njohur edhe me emrin Sali, vëllai autorit, Habib Rexha.