Rezart Taçi dhe pastrimi i parave për ‘Cosa Nostra’! Roli i 4 italianëve, i kunatit dhe i truprojës! Ja si funksiononte skema

Fabio Petruzzella, Rezart Taçi dhe Francesko Zumma

Biznesmeni Rezart Taçi është shpallur në kërkim nga policia për një skemë mashtrimi dhe pastrim parash në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. SPAK ka lëshuar një urdhër arresti për biznesmenin e njohur, ish-bosin e naftës në Shqipëri,  pasi akuzohet se së bashku me katër italianë dhe dy bashkëpunëtorë të tij për pastrim parash dhe grup të strukturuar kriminal.

Lidhjet me italianët, njëri prej të cilëve jeton në Zvicër, i kishte vendosur vetë Taçi, ndërsa në Shqipëri për të kryer transaksionet e mbi 18 milionë eurove në vende të tjera kishte angazhuar dy njerëzit e tij të besuar, kunatin Artur Balla dhe ish-shoqëruesin e tij, Bledar Lilo. Dy njerëzit e tij janë prangosur  për “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal”. Ish-bosi i naftës vijon që të jetë në kërkim.

Si funksiononte skema?

SPAK deklaron se nga hetimet e nisura këtë vit në bashkëpunim me autoritetet italiane kanë zbuluar organizimin dhe funksionimin e një operacioni kompleks financiar ndërkombëtar të kundërligjshëm, të shtrirë në disa shtete të ndryshme, që ka pasur si qëllim “pastrimin” e një shume monetare të konsiderueshme që përbën produkt të veprimtarisë kriminale.

Skema e pastrimit të parave përmes transaksioneve bankare bëheshin në Shqipëri, Itali dhe Zvicër, ku Taçi dhe dy njerëzit e tij bashkëpunonin me 4 italianë për pastrimin e parave të krimit të Cosa Nostra-s.

Taçi bashkëpunonte në Itali me 90-vjeçarin Francesco Zummon dhe Fabio Petruzzella-n, të cilët janë dy nga italianët e arrestuar në Itali, si të përfshirë në skemën e pastrimit të parave, ndërsa janë në këkrim ende edhe dy italianët e tjerë I.Z. dhe D.C. Sipas SPAK skema e pastrimit të parave të krimit drejtohej nga shtetasit italian Francesco Zummo, 90 vjeç dhe I.Z., në bashkëpunim me ekonomistin Fabio Petruzzella dhe iatlianin D.C., të cilët pastronin paratë në Zvicër dhe Shqipëri. Në Shqipëri bashkëpunëtori i tyre ishte Rezart Taçi, i cili së bashku me 2 të besuarit e tij Artur Balla dhe Bledar Lilo, pastronin paratë përmes bizneseve të tyre në Shqipëri në sektorin e naftës.

Dy shqiptarët Artur Balla dhe Bledar Lilo kryenin transaksionet financiare përmes një banke të nivelit të dytë në Shqipëri vlera e së cilës përllogaritet dhjetëra miliona euro. Gjatë hetimeve, SPAK ka mbledhur prova se Rezart Taçi dhe dy njerëzit e tij besuar do të merrnin përqindjen nga transaksionet e parave përmes një banke të nivelit të dytë në Shqipëri.

SPAK sekuestroi 18,399,941.50 Euro, që janë përfituar pikërisht përmes pastrimit të parave të krimit. Këto para kanë ardhur nga italiani 90-vjeçarin Francesco Zummon gjatë muajit gusht 2021 në Shqipëri ku do të bëhej edhe pastrimi nga Taçi dhe dy bashkëpunëtorët e tij, por kjo është bërë vetëm pjesërisht, pasi hetimet e SPAK kanë parandaluar që të kryhej pastrimi i plotë i parave në Shqipëri.

Kush është Francesco Zummo?

Emri i tij bëhet i njohur në mediat italiane në vitin 2001, ku pas një operacioni u sekuestrua pasuri me vlerë rreth 150 mln euro. Dyshohet se personat e implikuar asokohe, mes së cilëve dhe Zummo, pastronin para për mafien e njohur ‘Costra Nostra’. Gjithashtu edhe Shqipëria u përmend në atë hetim, pasi dyshohej se rreth 19 mln euro ishte vendosur në një bankë në Tiranë.

Zummo, një sipërmarrës 90-vjeçar nga Palermo, është partner i dyshuar i kryebashkiakut mafioz, Vito Cinacimino, dhe mendohej se ai merrej me pastrimin e parave të tij kriminale, duke depozituar para në shumë banka botërore, si Zvicër, Shqipëri dhe Kanada Po ashtu ai është hetuar nga gjyqtari Giovanni Falcone, i vrarë nga mafia, ndërsa është akuzuar se ka qenë në dispozicion edhe të Cosa Nostra-s. Petruzzella është ekonomist dhe vëllai i një gjyqtari në Palermo, i cili ndihmoi në zhdukjen mbi 18 mln eurove të Zummon, që do të konfiskoheshin, duke i transferuar në një llogari bankare në Tiranë. Janë pikërisht këto para që SPAK i sekuestroi ditën e sotme.

Kush është Rezart Taçi?

Me hapjen e pikave të “Taçi Oil”, pronari Rezart Taçi, që në mediat e huaja etiketohet si “manjati i naftës në Shqipëri”, ngjiti shkallët e suksesit, duke ndërtuar depozitat në Shëngjin dhe vende të tjera. Gjatë kohës kur Berisha ishte kryeministër ai bleu ARMO-n, gjigantin e përpunimit të naftës në Shqipëri.

Ai u kthye në një nga biznesmenët kryesorë për karburantet. Taçi bleu pas disa kohësh dhe një ndër televizionet më të rëndësishme të kohës, “TV Alsat”. Ai mori goditjen finale në vitin 2013 kur tatimet i bllokuan rafinerinë e hidrokarubureve ARMO.

Në vitin 2016 Taçi u arrestua në Zvicër  me urdhër të Prokurorisë Publike të kantonit të Gjenevës në Zvicër, për akuzën e “mashtrimit”, “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Falsifikimi i vulave dhe i stampave ose i formularëve”.

Ky hetim, kishte nisur pas kallëzimit të dy kompanive, një e regjistruar në shtetin panamez me emrin “Wallis Trading INC” dhe ajo holandeze me emrin “Trafigura Beheer Bv”. Të cilët me kompaninë e Rezart Taçit kishin një marrëveshje tregtare të nënshkruar që në vitin 2009.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *