Rezultat historik në Serbi, Alban Beqiri në gjysmëfinale të Botërorit të boksit

E jashtëzakonshme! Boksieri Alban Beqiri ka bërë një tjetër paraqitje fenomenale në Botërorin e Boksit që po mbahet në Serbi, duke arritur të kualifikohet në gjysmëfinale, në peshën 71 kg turne që po zhvillohet në Beograd (Serbi).

Ai ka triumfuar sot në mbrëmje ndaj jordanezit Zeyad Eashash me rezultatin 4-1, duke shkruar historinë e boksit shqiptar, pasi bëhet boksieri i parë kuqezi që arrin të shkojë mes 4 më të mirëve në botë dhe të duelojë për medalje.

Katër gjyqtarë i dhanë fitoren Beqirit (30-27, 30-27, 29-28, 29-28), ndërsa njëri ia dha pikët për rivalin nga Jordania (28-29). Beqiri vijon të mahnisë në ring me paraqitjen e tij, duke dueluar në mënyrë të jashtëzakonshme.

Kjo është fitorja e katërt e tij në këtë botëror, duke treguar gjithnjë aftësi të mrekullueshme: Mbron mjaft mirë dhe godet fort kundërshtarin në trup e kokë. Në këtë botëror, në turin e parë, Beqiri fitoi ndaj kenianit Boniface Maine dhe më pas eliminoi lituanezin Saimonas Banys (turi i dytë).

Në sfidën e tretë ai mundi Eduardo Beckford të Panamasë, ndërsa sot triumfoi ndaj jordanezit Zeyad Eashash në çerekfinale. Falë këtij suksesi, Beqiri hyn mes 4 boksierëve më të mirë në botë në peshën 71kg dhe tashmë është në zonën e medaljeve.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *