Prokuroria e Vlorës ka sekuestruar këtë të premte rreth mijë 4m2 tokë te Uji i Ftohtë, me vlerë 1.2 mln €, pasi ishte marrë me dokumente false.
Mësohet se është kallëzuar penalisht dhe shtetasi me iniciale F.M., i cili e dispononte këtë pronë.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria Vlorë sekuestron 3996,5m2 tek Uji i Ftohtë me vlerë 1.2 milionë euro, ishte përvetësuar me dokumente të falsifikuara. Në datë 23/12/2020, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, ka regjistruar kallzimin penal të shtetasit F.M. Sipas akteve rezulton se kallzuesi është një nga bashkëpronarët e pasurisë truall, me sipërfaqe 300m2 të ndodhur në lagjen “Uji i Ftohtë” Vlorë.
Nga verifikimet e kryera nga ana e kallzuesit, është konstatuar se një pjesë e pasurisë së tij që ai kishte të regjistruar, i ishte njohur në pronësi personave të tjerë, të cilët e kishin fituar atë nëpërmjet një procesi gjyqësor. Pasuria në fjalë ndodhet pranë hotel “Neë York”, në afërsi të zonës turistike ku po ndërtohet pjesa e dytë e projektit “Lungo Mare” në qytetin e Vlorës.
Rezulton se dokumenti i origjinës mbi bazën e të cilit personat e kallëzuar kanë fituar pronësinë mbi pasurinë e mësipërme, është “nota e transkriptimit” e datës 04/04/1942, në favor të R. D., kundër zyrës së thesarit të shtetit, ku objekt i saj është blerja prej tij e një sipërfaqe trualli prej 5 vreten, kundrejt vlerës 1200 franga ari, regjistruar në radhorin me nr. 232/4, vol. 12, neni 104, faqe 106. Nga verifikimet e kryera nga ana e kallzuesit pranë institucioneve të ndryshme si ASHK Vlorë, ka rezultuar se dokumenti i mësipërm nuk ekziston, por sipas numrit të radhorit ekziston vetëm 107 datë 14/04/1942 dhe neni 108 datë 20/05/1942.
Kallzuesi ka kërkuar fillimin e ndjekjes penale me pretendimin se dokumenti i mësipërm, mund të ishte falsifikuar nga ana e personave që kishin përfituar pasurinë e mësipërme.
Nga hetimet e kryera pas regjistrimit të këtij procedimi penal, nga analiza e të dhënave të administruara për nevoja të hetimit të këtij procedimi penal; administrimi i dokumentacionit përkatës; dëshmive që lidhen me faktin e hetuar; si dhe konkluzionet e aktit të ekspertimit teknik-grafik të kryer gjatë hetimeve, duke i vlerësuar ato në harmoni dhe unitet me njëra tjetrën, nga ana jonë si organ procedues, arrihet në konkluzionin se në rastin konkret ndodhemi përpara elementëve të veprës penale të “Falsifikimi i dokumentave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, vepra penale këto të parashikuara nga neni 186/1 dhe 287 të Kodit Penal.
Rezulton e provuar, se trashëgimtarët e shtetasit G.D., konkretisht shtetasi A.D., ka falsifikuar dokumentin “NOTË TRANSKRIPTIMI” e datës 04.04.1942, në favor të R. D., kundër zyrës së thesarit të shtetit, përpiluar nga noter A. A.”, dokument i cili sipas aktit të ekspertimit tekniko-grafik me nr.12299 datë 07/10/2022 të kryer nga ana e Institutit të Policisë Shkencore Tiranë, rezultoi tërësisht i falsifikuar.
Rezultoi e provuar se dokumenti i mësipërm i falsifikuar, është përdorur në proceset administrative dhe gjyqësore, konkretisht pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave Tiranë (2013); Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë (2016); Gjykatës së Apelit Vlorë (2018) dhe ka qënë dokumenti bazë dhe kryesor që ka shërbyer për njohjen dhe kthimin e pronës dhe që ka diktuar vendimarrjen e Gjykatës lidhur me pasurinë objekt gjykimi, me sipërfaqe prej 6480m2, nga të cilat 3996m2 ka rezultuar e lirë, ndërkohë që pjesa tjetër ka rezultuar e zënë me ndërtime.
Krahas falsifikimit të këtij dokumenti, rezultoi e provuar se pas vendimeve gjyqësore që kanë vendosur njohjen dhe kthimin e pronës, pasuria është regjistruar në regjistrat e pasurive të paluajtshme pranë ASHK Vlorë, me nr.43/189/1 pasurie, zk.8602, vol.95, faqe 247, me sipërfaqe prej 3996,5m2.
Më tej mbi këtë pasuri janë kryer veprime juridike me qëllim fshehjen/mbulimin e natyrës së paligjshme të pasurisë së përfituar me anë të dokumentave të falsifikuara
Në funksion të këtij procedimi penal, është kërkuar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, caktimi i masës së sigurimit pasuror “Sekuestro Preventive”, lidhur me pasurinë e mësipërme, e cila është regjistruar pranë ASHK Vlorë mbi bazën e përdorimit të dokumentit të falsifikuar.
Me vendimin me nr.478 akti datë 03/11/2022, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ka pranuar kërkesën e paraqitur nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, duke vendosur masën e sigurimit pasuror të sekuestros preventive për pasurinë me nr.43/189/1 pasurie, zk.8602, vol.95, faqe 247, me sipërfaqe prej 3996,5m2, ndodhur në lagjen Uji i Ftohtë, Vlorë.
Vlera e pasurisë së sekuestruar sipas përllogaritjeve bazuar mbi çmimet e tregut, kap shifrën prej 1.200.000 euro”, thuhet në njoftim.