Ribashkim apo Përçarje/ Zyra e shtypit e PD në luftë për karrige

Disa prej zyrtarëve të Partisë Demokratike u “spastruan” pak ditë më parë nga grupi i Whatsapp që shpërndante njoftimet zyrtare nga selia blu. Mes tyre ishin edhe ish-sekretari i Përgjithshëm Gazmend Bardhi apo deputetja Ina Zhupa, por edhe një prej zëdhënësave të PS, Patrik Sadikaj, që reagoi ashpër për largimin nga puna.

“Unë kam jetuar me djersën e ballit dhe me asnjë djersë që del prej pjesëve të tjera të trupit dhe ashtu do të vazhdoj të jetoj për të mos i lënë asnjë hije të keqe fëmijëve të mi, që mbase nuk u garantoj asnjë luks, por ama dinjitet po” shkruajti Sadikaj në rrjetet sociale.

Por Drejtoresha e Komunikimit të PD, që sapo ka marrë detyrën, Floriana Garo, shprehet se përjashtimet e fundit nga PD janë bërë për shkak se nuk janë konsultuar me të, për deklaratat publike të lëshuara nga selia blu.

”Nuk ka pasur as shkarkime, as afrime e as largime, janë spekulime. Disa personazhe që nuk kishin të bënin me PD, janë hequr nga grupi,. Ka pasur veprimtari që nuk është konsultuar me mua, si drejtoreshën e komunikimit”, tha ajo.

E pyetur nëse do të ketë bashkim të PD-së, pra mes grupit të Berishës dhe Bashës, Garo tha se duhet pranuar ideja e votës së lirë dhe ajo e rithemelimit.

”Nuk do të thoja që ka negociata, se ne kemi deklaruar që jemi pro bashkimit dhe afrimit të të gjithë demokratëve që e pranojnë votën e lirë dhe të gjithë idenë tonë të rithemelimit. Synimi ynë është të bashkohemi, e kemi shprehur qartazi, vetëm të bashkuar do krijojmë opozitën e fortë”, tha Garo.

Konflikti për kontrollin e zyrës së shtypit lindi pas rikthimit të Berishës në selinë blu, në një moment kur mesazhi kryesor i Komisionit të Rithemelimit është ai i bashkimit.

Në një status në rrjetet sociale, Sadikaj i cili mbajti krahun e Lulzim Bashës konfirmon se jo vetëm hequr nga grupi i zyrës së shtypit, por edhe është larguar nga puna. Gjithashtu Patriku shton se në PD janë futur njerëz që nuk punojnë për partinë, por për interesat e tyre personale. Vetë Sadikaj pranoi se nuk kishte qenë dakord me shumë vendime të Bashës, por kishte bërë detyrën

“Unë jam anëtar i Këshillit Kombëtar të PD i votuar nga shumica dërmuese e demokratëve në 2 mandate dhe i kam shërbyer Partisë Demokratike, pa asnjë kursim dhe pa e parë emrin e kryetarit. Madje kam qenë kritik ndaj tij, kur këta që sot flasin në emër të PD, lëpiheshin korridoreve dhe paradhomave për ti fërkuar krahët dhe duke më sulmuar mua e të tjerë që mendonin si unë.

Historia ime në PD, është më e madhe sesa interesi i atyre që duan pushtetin e PD, jo të mirën e PD. Kur unë punoja për të mirën e PD, disa prej tyre punonin kundër meje e kundër PD. E pavarësisht kësaj, unë as u bëra deputet e as ministër. Por prapë isha aty, duke punuar për PD, dhe këtë ata që fshihen pas makijazhit të bukur të ndonjë fasade, e dinë fort mirë se me disa prej tyre kam qenë krah për krah.

Gjithsesi, emrin mund të ma fshijnë nga grupi i Whatsap, normalisht edhe nga puna mund të më heqin (në fakt e kanë bërë), por ama një gjë nuk ma heqin dot: të qenurit demokrat” shkruante Sadikaj në postimin e bërë në rrjetin social Facebook.

 

Gjithsesi, pas shpalljes non grata të Sali Berishës, nga grupi i Whatsap i Partisë Demokratike janë shpërndarë mesazhe të forta ku amplifikohej edhe deklarata e Sekretarit të DASH, Antoni Blinken, sipas të cilit, Berisha ishte përfshirë në korrupsion madhor gjatë qeverisjes së vendit. Kur negocioi me Bashën për vendimin e pezullimit në 9 Shtator, Berisha tha se i kishte kërkuar atij të jepte dorëheqjen dhe të mos e pezullonte nga grupi parlamentar. Ndoshta të njëjtin qëndrim priste edhe nga punonjësit e zyrës së shtypit në PD./Report TV

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *