Rihapet baza ajrore e Kuçovës, Rama: Po punohet që edhe porti detar i Porto Romanos të jetë një bazë e NATO-s!

U hap dje  Baza Ajrore Taktike e NATO-s në Kuçovë. Kryeministri Edi Rama e konsideroi hapjen e bazës si një element sigurie për rajonin, e cila do të shërbejë edhe për të çuar në një tjetër nivel përgatitjen e aviatorëve shqiptarë, ndërkohë që i jep Shqipërisë një rëndësi të re gjeostrategjike.

“Një bazë e cila është një tjetër element sigurie për rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor i cili e dimë mirë se është një rajon jo i pa rrezikuar nga kërcënimi dhe ambiciet neo-imperialiste të Federatës Ruse. Riaktivizimi i këtij aeroporti ushtarak është njëkohësisht edhe pjesë e ripërtëritjes dhe rritjes së mëtejshme cilësore të flotës sonë ajrore.

Dy helikopterët e rinj Black Hawk si dhe dronët Bayraktar janë pjesë e një rritjeje që do të vazhdojë. Nga ana tjetër, e fundit, por jo për nga rëndësia, dua të falënderoj të gjithë banorët e zonës së Kuçovës, të Tapisë, të Dimalit edhe të Beratit e më gjerë për durimin që kanë treguar gjatë rehabilitimit dhe rindërtimit të kësaj baze. Uroj shumë që baza taktike e NATO-s të sjellë për ta mundësi të reja punësimi si edhe mundësi të reja për të gjithë zinxhirin e shërbimeve duke ndikuar në ekonominë lokale”.

Kreu i qeverisë tha se pas këtij projekti po punohet që edhe porti detar i Porto Romanos të jetë një bazë e Nato-s.

“Dua t’i shpreh një falënderim të posaçëm të gjithë atyre që kontribuuan duke filluar, sigurisht nga aleatët tanë të NATO-s me shpresën dhe besimin që kjo bazë e re taktike ajrore e NATO-s do të shoqërohet në vitet në vijim nga baza e re detare e NATO-s në Porto Romano, gjë për të cilën po punojmë ngushtësisht me NATO-n dhe jemi shumë besimplotë se së shpejti do të mund t’i gëzohemi lajmit të përfshirjes së këtij projekti në planet e aleancës”.

Vendimi i NATO-s për të ndërtuar në Shqipëri bazën e parë ajrore u njoftua në verë të 2018-s, ndërsa rindërtimi nisi në janar të vitit 2022. Për këtë bazë janë investuar afërsisht 50 milionë nga NATO dhe më shumë se 5 milionë euro janë të investuara nga qeveria shqiptare. Baza do të jetë në gjendje të mbajë gjashtë avionë luftarakë në baza periodike./monitor

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *