Rihapet dosja ‘Gërdeci’/ Pas vendimit se Fatmir Mediu nuk do të rihetohet, 2 Gjykatat përplasen sërish!

Rihapet çështja ‘Gërdeci’. Apeli i GJKKO ka vendosur rihapjen e hetimeve ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu.

“Me referimin në parashikimin e pikës 1, shkronja b), të nenit 46, të ligjit 98/2016 “Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” si dhe, në interesin e treguar nga media, komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, sot më datë 24.09.2021, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, mbi ankimin e Prokurorit të Posaçëm dhe të trashëgimtarëve të viktimës E.D., u zhvillua seanca gjyqësore në dhomë këshillimi, për çështjen penale nr. 212 akti, datë 03.09.2021 regjistrimi, ku Gjykata vendosi, të ndryshojë vendimin nr. 60, datë 27.07.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke pranuar kërkesën e Prokurorit të Posaçëm dhe revokoi vendimin e pushimit nr. 6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, duke i kthyer aktet Prokurorit të Posaçëm për të proceduar”, thuhet në vendimin e GJKKO.

Ndërkaq me datë 27 korrik Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e SPAK dhe vendosi se Fatmir Mediu nuk do rihetohet!  Në vendimin e  GJKKO theksohet që Prokuroria ka pasur të gjitha mundësitë që ta hetonte lirisht Fatmir Mediun pasi ai që prej 2012 nuk ka pasur imunitet dhe vepra është parashkruar. SPAK kërkoi rigjykimin e Fatmir Mediut lidhur me tragjedinë e Gërdecit, ku mbetën 26 persona të vrarë dhe qindra të plagosur, me argumentin se ai nuk ka më imunitet deputeti dhe mund të  përballet me drejtësinë. Gjykata e Lartë vendosi t’ia dërgojë këtë çështje për kompetencë GJKKO-së, me arsyetimin se me ndryshimet e fundit ligjore në kuadër të reformës në drejtësi, i takon asaj ta shqyrtojë dosjen penale ndaj ish-zyrtarit të lartë.

Ndërsa më datë 8 shtator, për herë të dytë, prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) ka kërkuar rinisjen e gjykimit për ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, për dosjen e Gërdecit. Mësohet se gjyqtarja që pritet ta shqyrtojë është caktuar Saida Dollani, pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit. Saida Dollani është gjyqtarja që do të ketë në dorë të paktën të ardhmen e karrierës së Fatmir Mediut, si një politikan dhe personazh publik.

Si u rikthye pas tetë vitesh çështja “Gërdeci”?

Gjykimi ndaj Mediut u rikthye më 7 maj, kur familja e 7-vjeçarit që humbi jetën, depozitoi në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) kërkesën për ndjekjen penale të Mediut.

SPAK, fill pas shqyrtimit të kërkesës, kërkoi hapjen e dosjes dhe revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj Mediut. Shkaku, për të cilin Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në 2009-ën vendosi pushimin e çështjes penale ndaj Mediut, ishte imuniteti parlamentar.

Më 30 qershor, Gjykata e Lartë shpalli moskompetencë për gjykimin e ish-ministrit të Mbrojtjes. Në vijim të ndryshimeve ligjore të bëra me reformën në drejtësi çështja “Gërdeci” i kaloi Gjykatës së Posaçme Anti-Korrupsion.

Ndërkohë GJKKO-ja, më 27 korrik, vendosi që Fatmir Mediu nuk do të gjykohet. Kjo Gjykatë cilësoi në vendim se, që prej vitit 2012 e në vazhdim (më shumë se tetë vjet), organi i akuzës nuk ndërmori hapat e nevojshëm sipas ligjit për ushtrimin e ndjekjes penale.

“Prokuroria nuk ka pasur asnjë pengesë që ta rimerrte të pandehur shtetasin Fatmir Mediu pa kërkuar autorizim për ndjekje penale, apo të kërkonte rishikim të vendimit”, thuhej në vendimin e GJKKO-së.

Kësisoj, Gjykata ravijëzoi se hapja e dosjes “Gërdeci”, “nuk mund të ushtrohet më bazuar në nenin 66 germa ‘b’ të Kodit Penal dhe në nenin 328 pika 1 germa ‘d’ të K.Pr.Penale”.

Por SPAK ankimoi në Apel vendimin e GJKKO-së, duke e cilësuar si të pabazuar në ligj.

Mediu akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim. Si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.

Shpërthimi i Gërdecit

Më 15 mars të vitit 2008, në ambientet e ish-“Brigadës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në Tiranë, ku ushtronte aktivitetin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve luftarake shoqëria “Albademil” sh.p.k., ndodhën një seri shpërthimesh masive që sollën pasoja të rënda.

Si rezultat i kësaj ngjarjeje u shkaktua vdekja e 26 personave, plagosja e rëndë e 27 personave, plagosja e lehtë e 109 personave, dëmtime të parëndësishme për 67 persona, si dhe dëmtime të tjera të paklasifikuara të 61 personave që janë trajtuar në spitale e qendra shëndetësore.

/Priza.al/

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *