Më 10 tetor një përfaqësi e Rai-t do të zhvillojë një vizitë në Tiranë gjatë së cilës pritet të nënshkruhet një marrëveshje historike mbi transmetimin, në të gjithë territorin kombëtar, të 24 programeve, serive televizive, dokumentarëve e filmave RAI.
Marrëveshja, e arritur falë Ambasadës së Italisë në Tiranë dhe mbështetjes së sipërmarrjeve e institucioneve italiane në Shqipëri, do të bëjë të mundur hedhjen e hapit të parë drejt zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënies, tashmë të konsoliduar, me televizionin publik shqiptar. Marrëdhënie kjo që forcën e saj e gjen tek roli i jashtëzakonshëm që RAI ka luajtur gjithmonë në Shqipëri.
Raffaella Carrà, Celentano, Mina, “Canzonissima”, “Zecchino d’oro”, “La piovra”, janë vetëm disa nga artistët apo programet që kanë bërë historinë e televizionit, si në Shqipëri ashtu edhe në Itali.
Gjatë vizitës, Delegacioni do të zhvillojë takime me Ministren e Kulturës, Elva Margariti, me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit si edhe me Drejtoreshën e Teatrit të Operas, Abigeila Voshtina, për të diskutuar mbi projekte të reja në fushën audiovizive dhe atë të edukimit.
Gjatë konferences do të marrin fjalën Ambasadori i Italisë, Fabrizio Bucci, Administratori i Deleguar i RaiCom, Angelo Teodoli, si edhe Drejtoresha për Çështjet Ndërkombëtare pranë Rai, Simona Martorelli.