Aboneja e përgjithshme do të rikthehet sërish për qytetarët në Tiranë pas 1 muaji mungesë. Kujtojmë se Bashkia me datë 1 qershor hoqi nga qarkullimi abonenë për shkak të riorganizimit të shërbimit të transportit publik, studimit të itinerareve, frekuencat e lëvizjes si dhe të kushteve të shërbimit. Asokohe vendimi parashikonte 3 muaj heqje të abonesë por për shkak të protestave duket se ky afat është përshpejtuar.
Bashkia e Tiranës njofton rikthimin në treg të abonesë së përgjithshme për të gjithë qytetarët që përdorin transportin publik. Shitja e aboneve të përgjithshme do të nisë nga 1 korriku, pas një muaji pezullimi me qëllim përmirësimin e kushteve dhe shërbimit për qytetarët.
Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi sot vendimin, pasi gjatë muajit qershor Drejtoria e Transportit e Trafikut Rrugor realizoi më shpejt në kohë procesin e mbledhjes së të dhënave për shërbimin e transportit qytetës. Ky proces do të shërbejë për kryerjen e një analize studimore, e cila do të ndihmojë në përmirësimin e shërbimit për qytetarët.
Pak ditë më parë, burime nga Bashkia e Tiranës thanë se përveç urdhrit për të rikthyer abonetë e përgjithshme në treg, kryebashkiaku Erion Veliaj do të ndëshkojë me heqje të licencës edhe disa nga operatorët e transportit publik, të cilët nuk kanë respektuar standardet dhe kanë shkelur rregullat e vendosura nga Bashkia e Tiranës.
/Priza.al/