Studioja e “N’majë t’gjuhës” mirëpriti këtë të dielë një emër që i kishte munguar ekranit dhe publikut shqiptar. Bëhet fjalë për aktoren e njohur Arta Muçaj. Jemi të sigurt që të gjithë e mbani mend një ndër serialet më të njohur shqiptar “Njerëz dhe fate” dhe Arta ishte pikërisht vajza e bukur që luante Didin, shoqen e Florit, e cila e përfshiu këtë të fundit në rrugën e trafikimit të drogës dhe prostitucionit.
Aktorja jeton prej vitesh në Australi por prej disa muajsh është kthyer në Kosovë. Ajo tregoi se është ndjerë gjithmonë e vetmuar dhe kishte kuptuar që duhet të kalonte më shumë kohë pranë familjes së saj. Arta gjithashtu zbuloi se sapo ka përfunduar xhirimet e projektit të saj më të ri kinematografik. Bëhet fjalë për filmin “Adnan Kafazi”, premiera e të cilit do të jetë në 24 Janar. Muçaj u shpreh se kjo ishte hera e parë që luante në një film të zhanerit dramë-krim.
Arta dallon për pozitivitetin që përcjell dhe vendosmërinë, por duket se nga ana tjetër e medaljes ekziston edhe një Arta tepër e ndjeshme e që ka gjithmonë nevojë për një shpatull ku të mbështetet.
“Jam shumë më e ndjeshme nga sa njerëzit e mendojnë. Në përgjithësi njerëzit mendojnë se unë jam përherë e fortë si guri. Unë thjesht i mbaj gjërat brenda sepse nuk dua ti ngarkoj njerëzit që kam afër”, u shpreh artistja.