Shqipëria e mbyll me barazimin edicionin e Ligës së Kombeve, pasi Islanda barazoi në minutën e 97, duke zhvlerësuar golin e realizuar nga Emir Lenjani në pjesën e parë.
Kuqezinjtë nuk fituan një ndeshje ku për gati 90 minuta e luajtën me një lojtar më shumë, pasi Islanda në minutën e 8-të u ndëshkua me karton të kuq, por kjo nuk u shfrytëzua nga kombëtarja shqiptare.
Gunnarsson doli nga loja me karton të kuq pas një ndërhyrje ndaj Uzunit. Ky episod pas ndërhyrjes së VAR. Kuqezinjtë luajtën mirë edhe në pjesën e dytë, duke kërkuar me ngulm golin, por nuk ia dolën dot. Plot 14 goditje nga këndi për ekipin tonë kombëtar, por nuk ishte e thënë të shënohej më. Dhe në aksionin e fundit është Islanda që ndëshkon me Anderson. Asnjë fitore për Shqipërinë në grup, duke e mbyllur aventurën në Ligën e Kombeve me vetëm 2 pikë.