Papa Françesku u rikthye në publik duke kryesuar meshën e Pashkës në Bazilikën e Shën Pjetrit, një ditë pasi anashkaloi procesionin e së Premtes së Mirë për shkak të motit të ftohtë në Romë.
Shërbesa e mbrëmjes filloi në errësirë. Më pas, pjesa e brendshme e kupolës u ndriçua, duke reflektuar besimin e krishterë se Jezusi u ngrit nga vdekja e tij pas kryqëzimit dhe se mirësia mund të triumfojë mbi të keqen.
Në fillim të vigjiljes së Pashkës, Papa Françesku, gdhendi në një qiri një kryq, shkronjën e parë dhe të fundit të alfabetit grek alfa dhe omega dhe numrat e këtij viti.
“Kisha u bën thirrje bijve dhe bijave të saj, të shpërndarë nëpër botë, të mblidhen së bashku dhe të luten”, tha Papa Françesku, duke filluar shërbesën.
Gjatë shërbesës u pagëzuan tetë besimtarë të përzgjedhur nga Shqipëria, Shtetet e Bashkuara, Nigeria, Italia dhe Venezuela.