Shkrimtari dhe satiriku Luan Laze, sjell romanin e tij “Gjithë femrat e Amsterdamit” edhe një herë për lexuesin shqiptar. Romani i botuar fillimisht në vitin 2008, pati një sukses të jashtëzakonshëm në tregun vendas, aq sa për pothuajse 10 vite, autori është ndeshur me kërkesat e lexuesve për ta ribotuar.
Autori i librit: Luan Laze
Dëshirën e tyre duket se e ka plotësuar duke ripunuar dhe risjellë në treg romanin e tij satirik. Botimit të parë të librit i është shtuar vazhdimi i asaj historie të bukur plot aventura, zhgënjime dhe dhimbje.
Subjekti rrotullohet rreth një historie me plot të papritura. Romani satirik “Gjithë femrat e Amsterdamit”, rrëfen historinë e një 32- vjeçari. Udhëtimi drejt Amsterdamit nuk ishte thjesht një rifillim, por ulje-ngritjet për ti bërë ballë jetës e përballën me shumë sfida të pa hasura më parë.
Ky libër sjell në mënyrë kaq origjinale dhe organike lidhjen e tij me Emilin, të dashurën e tij e cila është njëkohësisht ish-punëdhënësja e Fondacionit.
Kjo lidhje ishte një sfidë më vete, e ku ky i ri, për të fituar zemrën e të dashurës dhe para, i duhet të pranojë punën si recens dhe të futet në shtrat me femra të çdo moshe. Lumturinë e vërtetë shpeshherë nuk dimë se ku e kërkojmë, por ai i ndikuar nga rrethanat i duhet që të ‘zhvesh femrat’. Këtu fillon adrenalina, ndërsa lexuesi do shfletojë historinë që të mban mbërthyer. Kjo nuk është gjë tjetër veçse aventura e një përkthyesi që nis në Shqipëri, dhe përfundon si hamshor amerikan në papafingon holandeze.
Ky roman ka në brendësi një larmishmëri ngjyrash e emocionesh. Në të mund të gjeni një koktejl të vërtetë ku përfshihet dashuria, seksi e paraja, ku të treja janë gërshetuar aq bukur e duket se nuk bëjnë dot pa njëra-tjetrën.
Pas nuk ngelet humori, satira therëse, intriga e një dhimbje e cila duket sikur është një ndër kushtet e padiskutueshme të vetë historisë njerëzore. “Gjithë femrat e Amsterdamit” u jep mundësinë lexuesve të shohin jetën përtej bardh e zisë dhe i mbërthen lexuesit si mjeshtër i intrigës, me stilin e tij të shkëlqyer të të shkruarit. Ky libër nuk ka kohë dhe as stinë.
“Gjithë femrat e Amsterdamit” na fton të hidhemi në veprim, sepse është jo si gjithë të tjerët! Është tërheqës, ashtu si në kohën kur u botua dhe u përpi menjëherë nga lexuesit.
Në foto: Luan Laze dhe Armir Shkurti