Nga “ferri” në “parajsë”. Kështu mund të përkufizohet trajektorja e Lionel Messit me kombëtaren. Njeriu që kishte humbur disa finale, u tërhoq në një moment nga Argjentina, por më pas u kthye për të triumfuar dje në “Katar 2022”.
Ai kompletoi palmaresin e jashtëzakonshëm personal me trofeun e vetëm që i mungonte, Kupën e Botës. Ka disa detaje që e ekspozojnë më së miri rënien dhe ngritjen deri në majën e botës së futbollit të yllit argjentinas, shtatë herë fitues i “Topit të Artë”:
Humbi finalen e “Copa America” 2007
Humbi finalen e Kupës së Botës 2014.
Humbi finalen e “Copa America” 2015.
Humbi finalen e “Copa America” 2016.
Vendosi të tërhiqet nga kombëtarja e tij pasi u kritikua shumë nga mediat e Argjentinës, tifozët, edhe pse po jepte gjithçka për të fituar një trofe me Argjentinën.
Teksa Argjentina po luftonte për kualifikimin në Kupën e Botës 2018, ai u kthye në kombëtare dhe shënoi një “hat-trick” kundër Ekuadorit në ndeshjen e fundit, për ta çuar vendin e tij në Botërorin e Rusisë. Në Kupën e Botës 2018, ai u eliminua nga Franca në 1/8 finale.
Në vitin 2019, ai humbi gjysmëfinalen e “Copa America” ndaj Brazilit. Tronditje pas tronditjeje, zemërthyerje pas zemërthyerjeje. Por, ai nuk u dorëzua.
Në vitin 2021, ai fitoi “Copa America” si golashënuesi më i mirë, asistuesi më i mirë i turneut.
Në vitin 2022, ai fitoi trofeun “Finalissima” me 2 asiste dhe çmimin “njeriu i ndeshjes”.
Në vitin 2022, ai prodhoi një nga performancat më të mëdha në historinë e Kupës së Botës dhe e çoi kombin e tij në lavdinë që i mungonte prej 36 vitesh, që në triumfin e fundit bardhekaltër të Maradonës.
Rikthimi i Lionel Messit do të mbahet mend si rikthimi më i madh në historinë e futbollit. Nëse ka pasur ndonjë debat, nëse ka pasur ndonjë dyshim, tani ka marrë fund. Futbollisti më i madh në historinë e futbollit.