Rikthimi i studentëve në auditore/ Kushi: Do punojmë intensivisht për një proces sa më të rregullt

Ministria e Arsimit ka marrë vendimin për hapjen e auditoreve, pas sugjerimit të Komitetit Teknik të Ekspertëve. Në prag të mbylljes së vitit akademik, studentët do të kenë mundësi të zhvillojnë orë konsultimi dhe provimet në auditoret e universiteteve.

Ministrja Kushi tha se do të punojnë intensivisht për të garantuar një proces sa më të rregullt, ku prioriteti absolut është shëndeti dhe jeta e gjithsecilit. Ajo iu drejtua të gjithë studentëve, pedagogëve dhe punonjësve të universiteteve duke i falenderuar për punën, energjinë dhe durimin e treguar gjatë këtij viti akademik.

REAGIMI I PLOTE

Të dashur studentë, pedagogë dhe punonjës të universiteteve,

Së pari dua t’ju falenderoj të gjithëve për punën, energjinë dhe durimin e treguar gjatë gjithë këtij viti akademik në përshtatje me normalitetin e ri të shkaktuar nga pandemia.

I kemi vlerësuar dhe mirëkuptuar në mënyrë të vazhdueshme kërkesat tuaja të drejta për hapjen e auditoreve. Ka qenë një sakrificë e jashtëzakonshme për të gjithë së bashku që procesi mësimor në të gjithë elementet e tij të zhvillohej totalisht online, por besoj që ja kemi dalë të gjithë që të bëjmë më të mirën e mundshme për të vazhduar përpara.

Më në fund, me përmirësimin e situatës dhe vaksinimin e stafeve universitare, Komiteti Teknik i Ekspertëve vlerësoi pozitivisht kërkesën tonë për t’ju dhënë mundësinë për të zhvilluar orë konsultimi dhe provime në auditoret e universiteteve në prag të mbylljes së këtij viti akademik.

Përgjegjësia jonë e përbashkët është të punojmë intensivisht për të garantuar një proces sa më të rregullt, ku natyrisht prioriteti absolut është shëndeti dhe jeta e gjithsecilit. Le ta përdorim maksimalisht këtë periudhë për të komunikuar e për t’i mbështetur sa më shumë studentët me qëllim finalizimin me sukses të këtij viti akademik.

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë do të jetë gjithmonë në krahun tuaj për t’ju mbështetur përballë çdo vështirësie dhe nevoje të mundshme.
Kam shumë besim tek ju dhe jam e sigurt që do t’ja dalim!

Shumë suksese dhe përqafime,

Evis Kushi

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *