Guus Hiddink rikthehet në stolin e Austrialisë, kombëtare të cilën e dërgoi deri në raundin e 1/8-ve në Botërorin Gjermani 2006, aty ku u eliminua me vështirësi nga kampionët e Italisë.
75-vjeçari holandez njoftoi tërheqjen nga profesioni i trajnerit vitin e kaluar, por ai nuk ka refuzuar dot një ftesë të veçantë nga drejtuesit e futbollit australian.
Bëhet fjalë vetëm për një ndeshje, miqësoren ndaj Zelandës së Re, e fundit për Australinë përpara fillimit të Botërorit Katar 2022 (20 nëntor-18 dhjetor).
“Socceroos” janë pjesë e grupit D bashkë me Francën, Danimarkën dhe Tunizinë. Hiddink ka pranuar ftesën për të qenë përkrah trajnerit Graham Arnold në miqësoren e 25 nëntorit.
Këshillat e një eksperti si Hiddink janë gjithmonë të mirëpritura, teksa në stolin e Australisë do të zëvendësojë përkohësisht ndihmësin e Arnold: Rene Meulensteen.
Ky i fundit do të udhëtojë drejt Europës për të ndjekur nga afër dy nga rivalët në Kupën e Botës: Francën dhe Danimarkën, që do të përballen mes tyre në të njëjtë datë në Kopenhagen.
Hiddink ka një eksperiencë të madhe në stol. Ai fitoi Champions League me PSV-në (1988), dërgoi Korenë e Jugut në gjysmëfinalet e Kupës së Botës (2002), Rusinë në gjysmëfinalet e Europianit (2008), teksa i dhuroi trofe edhe Realit e Chelsea.