Nxënësit pritet të rikthehen në bankat e shkollave. Në përgatitje për këtë, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, ka zhvilluar një bisedë online me drejtuesit e zyrave arsimore në vend.
Kushi është shprehur se gjatë këtij takimi është diskutuar rreth skenarit të parë të procesit mësimor për të gjithë nxënësit e sistemit parauniversitar.
“Pas vendimit më të fundit për t’u rikthyer në skenarin e parë të procesit mësimor për të gjithë nxënësit e sistemit parauniversitar, zhvillova një takim ‘online’ me drejtuesit e zyrave vendore arsimore nga të gjitha bashkitë e vendit. Diskutuam për masat kryesore që po merren nëpër shkolla për të mirëpritur nxënësit që javën e ardhshme, sikurse u ndalëm edhe tek përgatitja sa më e mirë për provimet e Maturës Shtetërore në mënyrë që të mbështeten maturantët dhe të dalin faqebardhë pas këtij viti shkollor sfidues”, shprehet Ministrja Kushi.