Liderët nga dhjetëra shtete dhe organizata ndërkombëtare do të takohen më 4 korrik në Lugano të Zvicrës, në takimin që ka për qëllim të hartojë një udhërrëfyes për rindërtimin e Ukrainës, teksa Rusia po intensifikon sulmet e saj. Në takimin dyditor në Lugano pritet të marrë pjesë edhe kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili do të marrë pjesë virtualisht në këtë takim, ka paralajmëruar se puna që i pret vetëm në zonat që tashmë i kanë çliruar, është “vërtetë kolosale”.
“Është e nevojshme jo vetëm që të riparojmë gjithçka që pushtuesit kanë shkatërruar, por po ashtu të krijojmë një themel të ri për jetën tonë: të sigurt, modern, të rehatshëm dhe të arritshëm”, tha ai gjatë një adresimi më 3 korrik.
“Pavarësisht se sa e vështirë mund të jetë për ne sot, ne duhet të kujtojmë se na pret e nesërmja”, theksoi Zelensky.
“Ukraina është një shtet i madh dhe ka pasur shumë shkatërrim… nuk mund ta nisni planifikimin dhe koordinimin për rindërtim aq shpejt sa kërkohet”, tha për Dpa, Markus Berndt, kreu i departamentit për aktivitete të jashtme në Bankën Evropian për Investime.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shihet në ekran, teksa liderët e G7-ës diskutojnë në Gjermani. Sipas tij, Ukraina ka nevojë për ndihmë urgjente që të sigurohet se shërbimet bazike, siç janë furnizimet me ujë, rrjet të kanalizimit, qasje në internet dhe të sigurohet se ka stabilitet makroekonomik. Ambasadori zviceran që është përgjegjës për konferencën, Simon Pidoux, tha se është herët të vlerësohen të gjitha nevojat e Ukrainës, por insistoi se takimi në Lugano duhet të ofrojë një “busull” për punën që duhet të bëhet në të ardhmen.
“Mendoj se përpjekja [për rindërtim] do të zgjasë me vite, në mos dekada”, tha ai.
Qindra miliarda euro do të kërkohen për të financuar rindërtimin e infrastrukturës së shkatërruar të Ukrainës.
Konferenca ishte planifikuar që të mbahej para se Rusia të niste pushtimin në shkallë të gjerë më 24 shkurt dhe fillimisht ishte paraparë që në këtë konferencë të diskutohej për reformat në Ukrainë, por më pas qëllimi u ndryshua dhe takimi tani do të përqendrohet në rindërtimin pas luftës. Konferenca pritet të përmbyllet me një deklaratë të përbashkët: Deklaratën e Luganos./rel