Një krijesë e lashtë e ngjashme me krimbat është zbuluar në akullnajat e Siberisë. Pavarësisht se ka qëndruar e ngrirë në Artik 24,000 vjet, ajo është ende gjallë. Organizmi mikroskopik, i quajtur ‘bdelloid rotifers’, ka filluar të riprodhohet pasi është shkrirë, dhe është krijesa e vetme femër e cila riprodhohet përmes klonimit.
Shkencëtarët rusë i gjetën krijesat në një shtresë të quajtur ‘permafrost’, që do të thotë gjithmonë i ngrirë. ‘Permafrost’ përbëhet nga një shtresë e trashë toke e ngrirë, e cila mund të përfshijë gurë apo dhe. “Raporti ynë është prova më e plotë deri më sot se organizmat shumëqelizore mund të përballojnë dhjetëra mijëra vjet në kriptobiozë, gjendja kur metabolizmi ndalon thuajse krejtësisht”, tha Stas Malavin, një studiues në Laboratorin e Kriologjisë së Tokës në Qendrën Shkencore Pushchino për Kërkime biologjike në Rusi.
Hulumtimet e mëparshme nga grupe të tjera kishin treguar se rotifers mund të mbijetonin deri në 10 vjet ne gjendje të ngrirë. Studimi i ri përdori metodën e radiokarbonit për të përcaktuar se organizmat që morën nga permafrosti, ishin rreth 24,000 vjeçare. Studimi u botua në revistën Current Biology. Nuk është hera e parë që forma të lashta jete ringjallen nga një habitat i ngrirë në kushte të tilla.
Megjithatë Malavin sqaron se kjo mund të ndodhë vetëm tek kafshët e vogla dhe zor se format më të mëdha të jetës do të mbijetonin dot në këtë mënyrë. “Një organizëm i madh shumëqelizor që ngrin, ruhet ashtu për mijëra vjet dhe më pas kthehet në jetë, kjo është thjesht ëndrra e shumë shkrimtarëve të fiksionit”, shprehet eksperti.
/Burimi The Sun: përshtati në shqip Priza.al/