Një incident ka ndodhur në seancën e sotme të Kolegjit të Zgjedhor, ku pritet rinumërimi i 18 kutive të Bashkisë së Kuçovës për zgjedhjet e 14 majit. Kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë, Lefter Maliqi është përplasur me përfaqësuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ylli Merkajt. Në seancë, u dëgjua kur Maliqi e ofendon Merkajn duke e quajtur si rrugaç dhe hajdut.
“Mua më thua kështu ti? Hajdut. Ti je hajdut. Kush e thirri atë? Hajdut. Kur të dojë gjykata le ta thërrasë gjykata. Kujt i mëson? Mua më mëson ti që kam qenë oficer policie 25 vjeç, anëtar i Komisionit të Sigurisë 7 vjet?Për çfarë jam këtu? Për të mbrojtur demokracinë, nuk jam për të vjedhur. Rrugaç! Hajdut! Hajdut!”, dëgjohet të thotë Maliqi.
Në një dalje për mediat, Maliqi sqaroi versionin e tij se përse shkoi deri në këtë përplasje. Ai tha se ka filmuar me telefon përfaqësuesin e KQZ teksa ishte në seancë. Sipas tij, ai nuk është thirrur si dëshmitar dhe nuk kishte përse të ishte i pranishëm. Lefter Maliqi u shpreh se e bëri videon që ta ketë si provë.