Ceo i Twitter, Elon Musk së fundmi është shprehur se po punohet që ky rrjet social mos jetë më vetëm me mesazhe por edhe me të folur. Ai nuk e ka fshehur më ambicien që ka që Twitter të konkurrojë me aplikacione të tjera të rrjeteve sociale si Facebook dhe Viber.
Së fundmi, Musk njoftoi se platforma do të shtojë aftësitë e thirrjeve telefonike dhe video, duke i lejuar përdoruesit të komunikojnë me këdo në platformë pa pasur nevojë të ndajnë numrin e tyre të telefonit.
Në një postim në Twitter, Musk shpjegoi se funksioni i ri do t’i lejojë përdoruesit të bëjnë thirrje zanore dhe video nga Twitter me çdo përdorues tjetër në platformën e rrjeteve sociale.
Përdoruesit do të jenë në gjendje të bisedojnë me njerëz në të gjithë botën. Për më tepër, Musk po shton enkriptim në mesazhet e drejtpërdrejta të Twitter, aftësinë për t’iu përgjigjur çdo mesazhi në një temë dhe për të përdorur çdo reagim emoji.
Rikujtojmë se shefi i Twitter ka njoftuar së fundmi se ky rrjet do të heqë llogaritë që kanë qenë joaktive prej disa vitesh. Musk shtoi se përdoruesit mund të vënë re një rënie të ndjekësve.
Sipas politikës së Twitter, përdoruesit duhet të hyjnë në llogarinë e tyre të paktën një herë në 30 ditë për të shmangur heqjen e përhershme për mosaktivitet të zgjatur.