Duke filluar nga data 1 Korrik 2021, të gjithë drejtuesit e automjeteve që përfshihen në aksidente me vlerë më të vogël se 30 mijë lekë të rinj, kanë mundësi që të zgjidhin me marrëveshje përgjegjësinë për dëmin, pa ndihmën e policisë. Do të jenë vetë qytetarët të cilët do të duhet të bëjnë të gjithë ekspertizën e aksidentit, vlerësimin e dëmeve dhe caktimin e shkaktarit dhe të dëmtuarit, e më pas do u drejtohen kompanive të sigurimit për dëmshpërblimin.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka përgatitur formularin “Raporti Evropian i Aksidenteve”, i cili duhet të lëshohet nga çdo shoqëri sigurimi së bashku me policën e sigurimit të automjetit, duke i hapur rrugë zgjidhjes së konfliktit me mirëkuptim dhe në kohë më të shkurtër. Raporti duhet të nënshkruhet nga të dy drejtuesit e mjeteve që janë përfshirë në aksident, ku të përcaktohen rrethanat e ngjarjes, të fotografohen mjetet në momentet e aksidentit bashkë me dëmet e shkaktuara.
Më pas raporti duhet të dorëzohet pranë kompanisë së sigurimit bashkë me kërkesën për dëmshpërblim të palës së dëmtuar, të shoqëruar me dokumentet e automjeteve: leje qarkullimi, patenta dhe kopje të siguracioneve. Pas dorëzimit të kërkesës, shoqëria e sigurimit duhet që brenda 14 ditësh të kthejë përgjigje dhe të dëmshpërblejë dëmin.
Palët kanë të drejtë të thërrasin policinë në aksident, por mbi ta në këtë rast do të ketë ndëshkim me gjobë dhe heqje të pikëve nga leja e drejtimit për fajtorin e aksidentit. Modeli për zgjidhjen me mirëkuptim të aksidenteve të vogla zbatohet aktualisht në të gjithë vendet e Bashkimit Europian.
Drejtoresha e zbatueshmërisë pranë AMF-së, Fatbardha Hebovija, thotë se do të jenë vetë qytetarët e përfshirë që do të bëjnë ekspertizën e aksidentit dhe të caktojnë vlerën e dëmeve. “Vetë palët do të gjykojnë se nëse vlera e dëmit është deri në 30 mijë lekë, në të kundërt nëse e shohin se dëmi është në vlerë të madhe apo nuk bien dakord, kanë të drejtë të thërrasin policinë rrugore e cila do të vijë në vendngjarje dhe do të bëjë konstatimin e shkeljes.”