Më shumë se 145 drejtues mjetesh janë rikthyer në autoshkollë pasi kanë humbur 20 pikët në patentë, por vetëm 8 prej tyre kanë arritur të rifitojnë lejen e drejtimit që i është bllokuar nga policia.
Drejtori i DPSHTRR, Blendi Gonxhja shprehet se shoferët që kanë shkelur rregullat e Kodit Rrugor në mënyrë të përsëritur ritestohen, si për teorinë, ashtu edhe për praktikën.
“Nuk vjen më në DPSHTRR për ritestim, por kthehesh në autoshkollë nga e para, që do të thotë tarifë ekstra, kohë e humbur. Nga këta, e kanë rimarrë lejen e drejtimit vetëm 8 vetë. Është një shifër që na bën të ndihemi mirë sepse është një proces tepër i sigurt. Ka pyetje që lidhen me sjelljen, normat e sjelljes në qarkullim. Janë pyetje që janë të lidhura me mënyrën si ne reagojmë, si japim përparësi, që lidhen me ato shkelje apo situata që çojnë në humbjen e pikëve. Ata vijojnë sipas normave të reja, riregjistrohen në autoshkollë, kanë 30 ditë afat për të kryer testimin e radhës, që mund të jetë i dyti, i treti, sa herë rrëzohesh, rikthehesh në autoshkollë. Të gjithë drejtuesit e mjeteve, pavarësisht eksperiencës dhe moshës, duhet të bëjnë shumë kujdes sepse nëse do të humbasin pikët, do të gjenden përballë një kalvari që do t’i pengojë në zhvillimin e aktivitetit të tyre të përditshëm”, tha ai.
Shoferët që kalojnë ritestimin teorik dhe praktik, mund të rimarrin të njëjtën patentë të bllokuar nga policia me afatin e vlefshmërisë së mbetur ose mund të aplikojnë për një leje të re drejtimi./vizion