Republikani Ron DeSantis ka shpallur kandidaturën për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por jo gjithçka shkoi ashtu siç ishte planifikuar, shkruan DW.
DeSantis do ta rivalizojë Donald Trumpin në Partinë Republikane, që në zgjedhjet e 2024-s të përballet me Joe Bidenin demokrat.
“Unë jam Ron DeSantis dhe kandidoj për president për të drejtuar rikthimin e Amerikës”. Me këto fjalë mori fund videoja, të cilën republikani dhe guvernatori i Floridas, DeSantis e publikoi në hapje të fushatës së tij zyrtare për kandidat.
Por kush dëgjoi në orën 18:00 diskutimin e njoftuar me shumë publicitet dëgjoi vetëm copëza fjalësh dhe muzikë si ndërprerje. Një avari, për të cilin moderatori kërkoi falje para 500 mijë ndjekësve në Twitter.
DeSantis e argumentoi kandidaturën e tij me fjalët se SHBA-ja po shkon në drejtimin e gabuar.
“Kufijtë tanë në jug po dalin jashtë kontrolli, droga përmbyt vendin. Qytetet tona po gërryhen nga brenda nga kriminaliteti i lartë”, ka thënë DeSantis duke fajësuar për këtë presidentin Biden.
Emri i Trumpit nuk përmendet asnjëherë. Por vetë ish-presidenti, Donald Trump reagoi ndaj kandidaturës së DeSantis me një publikim masiv të postimeve sociale dhe e-mailave, ku ai akuzoi kandidatin 44 vjeçar, se po kopjon vetë Trumpin.
Shumica e analistëve amerikanë nuk komentuan vetëm avarinë në Twitter gjatë fillimit të fushatës për kandidat presidencial, por shtruan pyetjen, nëse De Santis është i njohur sa duhet përtej Floridas.
“Njerëzit duan të shohin, nëse ai e ka atë të pakapshmen, një ekstra të veçantë, nëse ai di të komunikojë me njerëzit, nëse di të entuziazmojë”, ka thënë David Urban, ish-këshilltar i republikanëve në zgjedhje për CNN.
Ish-presidenti, Donald Trump, 76 vjeçar ishte i pari nga republikanët që në nëntor shpalli kandidaturën për zgjedhjet presidenciale.