Nëse ende nuk e keni bërë rivlerësimin e banesës tuaj të re apo asaj që keni pasur prej vitesh, keni rastin që ta realizoni tani, pasi qeveria ka menduar që t’ju japë një “dorë”.
Qeveria ka vendosur kështu që të shtyjë deri në 30 prill 2022 afatin e procesit të rivlerësimit të banesave.
Vendimi është marrë nga qeveria shqiptare, nëpërmjet një akti normativ të marrë në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave.
Në aktin fundit normativ janë publikuar shtesat ligjore, ku theksohet gjithashtu se afati i ri “zbatohet edhe për kërkesat e dorëzuara pranë ASHK-së, të cilat nuk kanë përfunduar brenda datës 30 prill 2022, në rast se pagesa e tatimit për to bëhet para datës 31 korrik 2022.”
AKT NORMATIV
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.90/2019, “PËR RIVLERËSIMIN E PASURISË SË PALUAJTSHME”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në ligjin nr.90/2019, “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Në nenin 1 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
- Në pikën 1, fjalët “… deri në datën 31 dhjetor 2021 …” zëvendësohen me “… deri në datën 30 prill 2022 …”;
- Pas pikës 1 shtohet pika 1.1, me këtë përmbajtje:
“1.1. Parashikimi i pikës 1, të këtij neni, zbatohet edhe për kërkesat e dorëzuara pranë ASHK-së, të cilat nuk kanë përfunduar brenda datës 30 prill 2022, në rast se pagesa e tatimit për to bëhet para datës 31 korrik 2022.”.
Neni 2
Në nenin 5, fjalët “… dhe i shtrin efektet deri në datën 31 dhjetor 2021 …” zëvendësohen me “… dhe i shtrin efektet deri në datën 30 prill 2022 …”.
Neni 3
Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
/Priza.al/