Roberta Metsola me një shumicë votash u zgjodh presidente e Parlamentit Evropian (PE), transmeton Anadolu Agency (AA).
Në votimin e zhvilluar në Asamblenë e Përgjithshme në Strasburg për shkak të përfundimit të mandatit të ish-presidentit David Sassoli i cili ndërroi jetë javën e kaluar, Metsola u zgjodh për presidente në raundin e parë me 458 vota në parlamentin prej 705 vendesh.
Me zgjedhjen e Roberta Metsola-s, do të jetë hera e tretë që një grua do të ulet në postin e kreut të PE-së. Metsola në krye të parlamentit ku ajo më parë ka kryer detyrën e zv/presidentes u zgjodh në ditën e saj të lindjes.
Në një fjalim për deputetët pas zgjedhjes, Metsola tha se është krenare për përgjegjësinë që i është dhënë asaj. “Premtoj se do të punoj dhe do të bëj më të mundurën time për interesat e këtij Parlamenti dhe të gjithë qytetarëve të BE-së”, tha ajo.
Metsola është anëtare e Partisë Popullore Evropiane (EPP) që është grupi më i madh politik i parlamentit dhe ajo u zgjodh deputete për herë të parë në vitin 2013 nga Malta.
Nënë e 4 fëmijëve, 43-vjeçarja Metsola është në linjën e qendrës së djathtë dhe konservatore dhe para detyrës si deputete ajo kryente profesionin e avokates. Ajo është specializuar veçanërisht në të drejtën evropiane. E vlerësuar për rolin e saj në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në politikë, Metsola kritikohet kryesisht për qëndrimin e saj kundër abortit.
Në gjysmën e dytë të mandatit parlamentar, Metsola do të ushtrojë detyrën e presidentes për 2.5 vite.
/Priza.al/