Ndërsa 70% e të anketuarve në një sondazh të gazetës sportive portugeze ‘A Bola’ dëshirojnë që Cristiano Ronaldo të mos ishte pjesë e formacionit fillestar të Portugalisë.
Teksa përballen të martën me Zvicrën në fazën e 16-të të Kupës së Botës, zvicerani Xherdan Shaqiri paralajmëron: CR7 është rreziku më i madh.
Sipas ish-lojtarit të Interit, fakti që fituesi i shumëfishtë i Topit të Artë është 37-vjeç dhe aktualisht pa një ekip, do të thotë pak ose aspak. “Duhet kujdes kur flasim se koha e Ronaldos ka përfunduar”, tha Shaqiri.
“Për mua, ai mbetet, së bashku me Messin, një nga futbollistët më të mirë në botë. CR7 mund të të shënojë në çdo sekondë, në çdo minutë të një ndeshjeje, me përvojë që ka, vazhdon të jetë thelbësor për Portugalinë.
Ekipi portugez ka lojtarë të tjerë të shkëlqyer, dhe jo vetëm Ronaldo, kështu që do të jetë një test i fortë për ne. Ne do të duhet të japim më të mirën tonë për t’i mposhtur ata. Ne nuk kemi individë si Ronaldo, por grupi ynë do të bëjë diferencën. Ne kemi nevojë për një performancë të shkëlqyer kolektive”, theksoi autori i golit të parë ndaj Serbisë.
Të dy skuadrat e njohin mirë njëra-tjetrën, pasi u takuan në Ligën e Kombeve, ku Portugalia fitoi 4-0, ndërsa zviceranët mbizotëruan 1-0 në Gjenevë: “Ja ku jemi në Kupën e Botës dhe gjithçka mund të ndodhë”, thotë Shaqiri. “Por po e përsëris se do të duhet të jemi të shkëlqyer sa i përket performancës kolektive”.