Rozeta Dobi ka pranuar të bashkëpunojë me policinë, duke i dorëzuar kështu drejtësisë Alda Klosin. Pastruesja që u bë e famshme për shumat marramendëse të gjetura në apartamentin e saj, ka kërkuar një avokat shteti dhe jo ata që i ka gjetur familja.
Dobi ka treguar me detaje gjithçka që prej nisjes së punës për Klosin deri te arrestimi.
“Kam vendosur të bashkëpunoj me policinë. Nuk dua të mbrohem nga avokatët që më ka caktuar familja. Dua të më caktoni një avokat shteti. Kam filluar punë si pastruese në shtëpinë e Alda Klosit në vitin 2018. Shtëpinë në atë kohë e kishte te Mozaiku. Aty ka pasur dhe një shtëpi tjetër. Në vitin 2018 kam konstatuar që në krevatin e saj të mbuluar me batanije kishte lekë dhe euro, shumë të mëdha. I kam marrë dhe i kam sistemuar në sirtar dhe e kam telefonuar Aldën dhe i kam thënë që lekët i ke në sirtar. Alda Klosi kishte përveç kësaj një shtëpi në Kombinat, kishte porositur një shtëpi te Kodra e Diellit dhe kishte një shtëpi të ndërtuar në truallin e prindërve. Shpesh Alda lëvizte para, unë nuk kam prekur asgjë. Kur shkoi te apartamenti te ‘Rruga e Kosovarëve’ që u nda nga bashkëshorti, ajo më kërkoi që t’i mbaja këto para. Unë e kam marrë kasafortën, e kam çuar në shtëpinë time me makinën e djalit dhe i kam sistemuar disa nga lekët dhe bizhuteritë. Disa të tjera i kam vendosur te sirtari i dollapit tim për ti sistemuar më vonë.
Makinat ia kam blerë unë djalit. Njëra ka kushtuar 3 mln lekë të vjetra. Shuma prej 25 700 eurosh që janë gjetur te komoja e krevatit janë para të punës sime. Ndërkohë shtëpinë e bëra unë rrëmujë sepse Alda donte të fajësonte për paratë dhe bizhuteritë bashkëshortin, pasi ai e kërcënonte”, ka deklaruar Alda Klosi.
Ajo nuk identifikon persona apo zyrtarë të tjerë për paratë e gjetura në shtëpinë e Alda Klosit.
Rozeta Dobi e ndihmoi grupin e hetimit dhe e çoi te ish-zyrtarja teksa mund të jetë vetë Alda Klosi që të çojë në hetime më të gjera sa iu përket parave të sekuestruara.