Bizneset fërkuan duart me dyndjen e tifozëve për finalen e Ligës së Konferencës mes Romës dhe Fejnordit. Shifra, që u shqiptua se u shpenzua prej tyre shkoi deri në 140 mln euro. Kjo shifër mund të jetë e tepruar, megjithatë fakt është se me përjashtim të policëve që u përballën me dhunën e tifozëve, pjesa tjetër përfitoi.
Përfituan baret e restorantet, klubet e natës, hotelet dhe pronarët e shtëpive me qira. Përfituan shitësit në kioska, ata ambulantë dhe supermarketet, megjithëse ky përfitim u shtri kryesisht te bizneset e vendosura pranë stadiumit dhe përgjatë bulevardit.
Por, veç përfituesve formalë e legalë, pati edhe përfitues informalë e ilegalë. E., i moshës 33-vjeç është rasti i tyre. Ai është skeduar nga policia si përdorues hashashi, ndërsa shumë vite më parë ka pasur edhe një proces gjyqësor me akuzën e shpërndarjes së kësaj lënde narkotike.
I riu rrëfen se prej atij procesi hoqi dorë nga shpërndarja. “Po nuk hoqa dot dorë nga tymosja e ndonjë cigareje vetë”, thotë E. Megjithatë, një moment krejt rastësor, thotë se e përfshiu sërish në ‘shpërndarje’, ndonëse me doza të vogla, por me përfitime të mëdha.
“Ishim një grup çunash në një cep te shëtitorja e liqenit (artificial). Po tymosnim kur na afrohen dy tifozë të Romës. Kërkuan edhe ata. Njëri prej nesh, që kishte me vete u shiti një qese për 60 euro”, thotë ai.
“Pasi e gjeta shkova në mes të tifozëve holandezë të Parku Rinia. Thashë me vete; kur italianët e blejnë shtrenjtë, holandezët duhet ta blejnë ende më shtrenjtë”, deklaron 33-vjeçari.
Ai nuk pranon që të tregojë çmimin me të cilin e shiti, as sasinë që shiti. Por, na ‘betohet’ që e ka shitur më shtrenjtë se 60 euro, sa te tifozët italianë dhe shprehet i kënaqur me ‘biznesin disaorësh’.
A kishte frikë se mos kapej sërish?
“Frika është gjithmonë aty. Po, unë rrija mes tifozëve holandezë. Përziehesha me grupet e tyre. Policia thjesht kishte vënë ato barrikadat e postblloqet e veta dhe nuk ndërhynte, megjithëse aroma e barit të çante hundët”, shton E. /GazetaSi/