Personi i akuzuar për shpërthimin e eksplozivëve të vendosur në makinën e gazetares malteze Daphne Caruana Galizia, në vrasjen e vitit 2017, ka rrëfyer krimin në një intervistë me një reporter të Reuters.
Teksa ka bërë me dije se së shpejti do të zbulojë të tjerët që u përfshinë në komplotin për ta vrarë gazetaren, George Degiorgio tha se nëse do të kishte ditur më shumë për Galizian atëherë ai do të kishte kërkuar më shumë para për të kryer vrasjen.
“Po ta dija, do të kisha kërkuar 10 milionë . Jo 150 mijë euro”, theksoi ai, duke iu referuar shumës që tha se është paguar për vrasjen e gazetares. “Për mua ishte vetëm një punë. Po. E njëjta gjë këtu!”, i tha ai gazetarit të Reuters. Dhe më pas shtoi: “Sigurisht që më vjen keq”.
Intervista me Degiorgio u krye gjatë hulumtimit për një podcast mbi rastin e Caruana Galizia, të titulluar “Kush e vrau Dafnen?”
Rrëfimi i tij erdhi pas disa përpjekjeve nga avokatët e Degiorgio që nga viti 2021 për të siguruar një falje në këmbim të dëshmisë për rolin e tij në vrasjen e Caruana Galizia dhe krime të tjera të supozuara që përfshijnë figura të shquara në Maltë.
Më 22 qershor, Gjykata e Apelit Malteze hodhi poshtë ankesat e mbetura ligjore të Degiorgio kundër akuzave për vrasje kundër tij dhe vëllait të tij Alfred, i cili është i bashkëakuzuar. Vendimi hap rrugën për vazhdimin e gjykimit.
Vrasja me bombë në makinë e gazetares investigative tronditi Evropën. Autoritetet malteze akuzojnë Degiorgio dhe dy burra të tjerë, vëllain e tij Alfred dhe një bashkëpunëtor, të quajtur Vince Muscat për vrasjen e Caruana Galizia në tetor 2017 me urdhër të një biznesmeni shumë të njohur në vend.
Degiorgio i tha Reuters se ai do të flaës sërish për të treguar bashkëpunëtorët.