JULIAN ÇELA, Themeluesi i Kombëtares Shqiptare të futbollit të amputuarve, ka rrëfyer periudhën e vështirë pas atentatit që ju bë drejtuesit të zyrës ku punonte.
Në atë atentat ai mori disa goditje në këmbë të cilat i sollën kufizimin e lëvizjes së gjymtyrëve, si dhe disa sfida emocionale në vetvete.
Çela udhëton në kohë dhe tregon dhimbjen e madhe dhe kërkesën që i kishte bërë për tu larguar bashkëshortes së tij.
Por bashkëshortja i qëndroi pranë në momentet më të vështira, duke i dhënë forcën e madhe që ai të fillojë të ecë sërish përmes protezave.
“Unë u nisa në punë dhe djali ka qenë 3 muajsh. Djalin dhe gruan i lashë në gjumë dhe kur ndodhi shpërthimi pashë që kisha humbur të dyja këmbët. Unë jam besimtarë ungjillorë dhe i kërkova zotit të më jepte kohë të jetoja sa të takoja djalin dhe gruan dhe të më merrte në gjirin e tij. Forcën nuk e gjeta te vetja, por te bashkëshortja. Ka qenë ajo që ka qenë forca ime. Ka qenë një moment që i kam thënë largohu, nuk është Juli më ai i dikurshmi. Ka thënë Juli ne e nisëm bashkë këtë rrugëtim dhe do ta vijojmë bashkë deri sa vdekja të na ndajë. Unë po shihja dhimbjen time, u bëra tip nevrik, por harrova dhe atë që kishte rënë tavani mbi kokë”, tha ai.
Gjithashtu ai ka rrëfyer edhe bisedën me të birin, pasi i shpjegoi arsyen e humbjes së 2 këmbëve. Një pyetje shumë naive dhe e drejtpërdrejtë i erdhi nga djali: “Ku ishte Zoti kur ndodhi shpërthimi që të mori këmbët?”
“Fëmijët vijnë më pyesin për protezat. Edhe unë ia sjell si lojë fëmijëve, u them që jam një robot. Djali im e ka kuptuar vetvetiu, dhe realisht nuk i bën përshtypje, ka mësuar si ndodhi shpërthimi dhe gjithçka. Edhe kur e pyesin të tjerët ua shpjegon që babai nuk i ka gjymtyrët për shkak të një shpërthimi. Unë ja kam shpjeguar dhe shpeshherë më pyet ku ishte zoti kur ndodhi shpërthimi dhe unë i them që aty ishte, “pasi nëse nuk do të ishte Zoti atëherë unë nuk do të isha këtu me ty”, tha ai