Pas vendimit të qeverisë për bursat universitare, Ministria e Arsimit nuk ka humbur kohë për hartimin e detajeve sa u takon bursave për studentët ekselentë që do të studiojnë e jetojnë në vend. Përmes një udhëzimi, MAS ka përcaktuar rregullat, afatet, dokumentacionin dhe mënyrën e financimit të studentëve.
Studentët që kanë një mesatare relativisht të mirë, mbi 8.5 dhe zgjedhin një nga degët e shpallura prioritet kombëtar, ekselentët e padiskutueshëm me 10.00 si në gjimnaz dhe provime mature jo më pak se 9.5 si dhe ata që kanë fituar një nga tri vendet e para në olimpiada ndërkombëtare, janë të lirë të aplikojnë për bursë sapo të nisë viti akademik e deri në 30 janar. Kriteret janë të qarta dhe dokumentet për të dëshmuar atë janë po ashtu koncize. Përpos kërkesës së posaçme për aplikim që duhet të jetë gati në çdo fakultet, studenti që mendon se i përmbush kushtet dhe kërkon të aplikojë për mbështetje financiare (përjashtim nga tarifa e shkollimit dhe bursë mujore) duhet të dorëzojë në sekretari diplomën dhe certifikatën që ka përfunduar Maturën Shtetërore; vërtetimin nga institucioni i arsimit të lartë publik që është pranuar në një program studimi si dhe certifikatën e fitimit të olimpiadës për rastet kur i riu/e reja aplikon me këtë status. Të gjitha dokumentet e sipërcituara duhet të jenë të noterizuara ose origjinale.
Jo çdo person që përmbush kushtet dhe aplikon për të përfituar bursë mujore në vlerën e pagës minimale mund të shpallet përfitues i saj. Për këtë do të bëhet një rankim, bazuar në një fond dhe numër që vendon universiteti. Një strukturë përgjegjëse do të ngrihet në çdo IAL pikërisht për ndjekjen e gjithë ecurisë së dhënies së bursave si dhe ecurinë e studentëve në vijim të shkollimit, për të vërtetuar nëse ato përmbushin kushtet në vitet e mëpastajme. Kujtojmë që në vendimin e qeverisë, një prej kushteve për dhënien e bursës për vitet e tjera për ekselentët është ruajtja e standardit, me të cilin ata u futën në fakultet, një notë mesatare jo më të ulët se 9.5. Fillimisht, struktura përgjegjëse do të marrë informacion pranë QSHA-së mbi rezultatet e studentit në gjimnaz e maturë e më pas në universitet. Një marrëveshje trepalëshe student-universitet-Ministri e Arsimit firmoset në fund ku përcaktohen kushtet që duhet të respektojnë palët. Kryesisht, studenti penalizohet nëse nuk i përmbahet kontratës.
Në momentin që shpallet lista e përfituesve, me gjasë pas 30 janarit që shërben si kufi për depozitimi e paketës së dokumenteve, çdo student do të ketë në llogarinë e tij brenda datës 5 të çdo muaji pagën minimale në masën e 32 mijë lekëve. Duke qenë se procedura kërkon kohë, të cilën shpesh universitetet nuk e tolerojnë (kërkojnë pagesën e plotë ose një këst), udhëzimi parasheh që shuma e paguar për studentët që shpallen fitues, të kthehet. “Studentët, të cilët mund të kenë kryer pagesën e tarifës së shkollimit pranë IAL-së përkatëse menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes trepalëshe IAL-ja duhet të bëjë rimbursimin e tarifës së paguar nga këta studentë”, citohet në pikën 12 të udhëzimit nr. 27, datë 02.08.2022. Nuk dihet nëse është e njëjta shumë që është ndarë çdo vit për fondin e ekselencës, por dokumenti përcakton qartë se ky program do të mbështetet nga Ministria e Arsimit, e cila do të japë fondet për universitetet në formë grantesh. Sidoqoftë, për universitetet që do të kenë nevojë për më tepër para, lihet hapësirë për fonde ekstra nga MAS. Por, nga ana tjetër, në rast se studenti vendos të ndërpresë studimet, për të cilat është mbështetur financiarisht, pa miratimin e universitetit dhe Ministrisë, përjashtohet apo nuk i përfundon dot deri në një vit pas mbylljes së studimeve, studenti ka detyrimin për të kthyer masën e financimit që ka përfituar brenda gjashtë muajve nga dita e njoftimit nga Ministria./Panorama