50-vjeçarja e identifikuar si Bukuroshe Muharremi e cila banonte në Sarandë është vënë në pranga pasi akuzohet se ka rrëmbyer katër ditë më parë të miturin Ronaldo Tanushi dhe e ka përdorur për të lypur. Mësohet se Muharremi akuzohet për veprën penale “Trafikimi i të miturve”.
Ajo tashmë ndodhet pas hekurave, ndërsa i mituri është dërguar shëndoshë e mirë pranë familjes së tij që e kërkonte me dëshpërim prej tre ditësh. Tanushi u gjet në Sarandë dhe u bashkua me prindërit një ditë më parë.
Njoftimi i policisë:
Paraditen e djeshme, si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me DVP Tiranë, u bë e mundur gjetja e shtetasit të mitur R. T., 12 vjeç, i cili ishte larguar disa ditë më parë, nga banesa e tij në Tiranë. I mituri aktualisht ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë u arrestua në flagrancë për veprën penale “Trafikimi i të miturve”, shtetasja B. M., 50 vjeçe, banuese në Sarandë, pasi është konstatuar duke shfrytëzuar 12-vjeçarin për të lypur.
/Priza.al/