Ardit Gjebrea zbuloi dje se ky edicion i “Kënga Magjike” do të kishte surpriza dhe kjo u vu re që në ditën e parë. Për herë të parë në “New Artist”, kategori tashmë traditë e festivalit një reper amerikan konkuroi dhe arriti me sukses që të tërhiqte vëmendjen e jurisë dhe të publikut. Jordan Coleman aka Jayoo, një artist që vjen nga New York-u prezantoi projektin e tij, i cili mori pjesë në “Kënga Magjike” me synimin për t’u bërë më i njohur në tregun ndërkombëtar.
Kënga e tij “Itsy Bitsy”, arriti të merrte 5 jeshile unanime nga juria që vlerësuan shumë produksionin dhe faktin që projekti mund të kthehet në hit, ndërsa Jayoo ishte tepër i lumtur për këtë hap të madh drejt një artisti ndërkombëtar të muzikës rap. Të paktën kështu u shpreh ai në Instagram.
Nëse jeni kuriozë për Coleman, duhet të dini që deri më tani ka prodhuar 2 albume për tregun amerikan të muzikës dhe mbi të gjitha është djali i Kryetarit të Bashkisë së New York, Eric Adams. Jo vetëm kaq, por Jayoo ka marrë pjesë edhe në disa filma, përmendim këtu “The Backyardigans” (2004), “Prayin’ the Rice” (2011) dhe “Placeholders” (2012). Pra kemi të bëjmë me një artist të gjithëanshëm dhe që shpresojmë t’ja arrijë qëllimit për karrierën e tij dhe “Kënga Magjike” të jetë “katapulta” që ka nevojë për në tregun ndërkombëtar.