Inflacioni i lartë, i kombinuar me sjelljen e pakujdesshme të qeverisë, mund ta fusin ekonominë e vendit në një spirale, që mund të rëndojnë në të ardhmen aftësinë paguese të borxhit të qeverisë.
Çmimet kanë përshpejtuar rritjen muajt e fundit, pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, duke vijuar tendencën që nisi që nga gjysma e dytë e vitit të kaluar, të ndikuara nga rimëkëmbja e shpejtë nga pandemia dhe ndërprerja e zinxhirëve të furnizimit.
Inflacioni, që ka arritur në nivelin më të lartë në dy dekada (5.7% në mars) zhvlerëson të ardhurat, për sa kohë që pagat nuk ndjekin të njëjtin ritëm, po shtrenjton koston e jetesës, duke e shndërruar të papërballueshme për disa shtresa të popullsisë e duke sjellë për pasojë më tepër varfëri në një vend, që edhe më parë kishte të ardhurat për frymë më të ulëtat në Europë.
Ndërsa rritja e çmimeve, në pjesën më të madhe të saj, është e ndikuar nga inflacioni i lartë i importuar, sjellja e qeverisë ngre shumë pikëpyetje, nëse do të arrijë të amortizojë pasojat që do të sjellë në ekonomi. Gjetja më e shpejtë ishte krijimi i Bordeve të Mbikëqyrjes dhe Transparencës, që në një lëvizje me dukje populiste, fiksuan çmimet, duke ua lënë barrën sipërmarrjeve.
Qeveria vetë vijon t’u gëzohet të ardhurave më të larta tatimore e doganore, me rritje vjetore 27% për tremujorin e parë, që po vijnë, në pjesën më të madhe, nga shtrenjtimi i të gjitha produkteve (një e treta e rritjes për tremujorin e parë erdhi nga zëri i TVSH-së).
Në kontrast, të ardhurat e përfituara shtesë nuk po përdoren për t’u rishpërndarë te shtresat më të varfra (suficiti buxhetor ishte disa herë më i lartë sesa paketa e kontigjencës për krizën) dhe as në uljen e taksave që rëndojnë konsumin (p.sh. taksën e qarkullimit të karburanteve).
Nuk po flasim këtu për mungesën e politikave zhvilluese në vite, që nëse do të kishin nxitur më shumë prodhimin vendas, në ata sektorë ku ka avantazhe konkurruese, do të kishin shërbyer si amortizator në momentin që vendi u përball me këtë krizë globale.
Sinjalet e para janë që çmimet e larta po e ndikojnë negativisht konsumin, gjë që ishte e pritshme. Të dhënat e INSTAT për tremujorin e parë treguan për një rënie të volumit të tregtimit të mallrave në porte, aeroporte e hekurudhë. E kombinuar me kostot e shtuara të bizneseve nga fiksimi i çmimeve dhe rënia e pritshme e xhiros e fitimeve, të ardhurat buxhetore nuk pritet të vijojnë me këto ritme.
Kjo e përball qeverinë me rrezikun e borxhit, që edhe më parë ishte i lartë. Vitet e fundit, shtimi i borxhit ka qenë zgjidhja më e thjeshtë për të nxitur ekonominë, ndonëse ka pikëpyetje se sa ka arritur vërtet ta bëjë këtë. Kujtojmë vitin 2020, kur ndonëse borxhi publik u rrit me 10 pikë përqindje të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), në afër 80% të PBB-së, paketa e ndihmës për ekonominë ishte më e ulëta në Europë, me më pak se 1% të PBB-së, sipas FMN-së.
Kjo e fundit, së bashku me Bankën Botërore, e kanë paralajmëruar shpesh qeverinë që të jetë e kujdesshme me borxhin dhe ta përdorë atë për të ndihmuar shtresat në nevojë, si dhe të synojë konsolidimin fiskal. Një këshillë, që nuk u mor parasysh – pasi ekonomia rikuperoi shpejt në vitin 2021, por që për fat të keq, e gjen vendin të brishtë përballë kësaj krize të re, me një borxh në nivele të paqëndrueshme ende afër 80% të PBB-së.
Kosto e borxhit e ka filluar rritjen tashmë dhe periudha e interesave të ulëta duket se ka marrë fund. Në momentin që ritmet e të ardhurave do të bien, qeveria mund të përballet me vështirësi për financimin e pagesave, sidomos në tregun e jashtëm.
Banka Botërore paralajmëroi së fundmi se bilanci fiskal mund të përkeqësohet më tej, nëse mjedisi ndërkombëtar do të jetë i pafavorshëm, duke e detyruar qeverinë të shkurtojë shpenzimet kapitale për të parandaluar një rritje të raportit të borxhit ndaj PBB-së
Që rritja e borxhit të jetë produktive, kjo kërkon besim të madh në gatishmërinë e ligjvënësve për të shpenzuar para në mënyra që prodhojnë rritje të lartë dhe të qëndrueshme ekonomike. Përvoja ka provuar që kjo praktikisht është e vështirë të ndodhë te ne. Në të kundërt, peshorja anon shumë poshtë në kahun e rreziqeve.
Në veçanti, nivelet e larta dhe në rritje të borxhit publik ka të ngjarë të nxisin inflacion më të lartë, ndërkohë që shtimi i barrës së financimit të borxhit dhe deficitit rrit presionin politik për ta luftuar atë (inflacionin).
Nivelet e larta të borxhit e bëjnë gjithashtu më të vështirë kontrollin e inflacionit nëse ai bëhet i vazhdueshëm, duke çuar në një rreth vicioz, që në afat të shkurtër apo të mesëm, rrezikon përkeqësimin e ekonomisë dhe rritjen e varfërisë./Monitor