Pak para nisjes së sezonit turistik, policia kufitare ka shtuar kontrollet intensive ndaj mjeteve lundruese në zonat bregdetare nga Saranda e deri në Shëngjin për të rritur sigurinë detare dhe zbatimin rregullave të lundrimit, nga drejtuesit e mjeteve lundruese.
Së fundmi, përgjatë vijës bregdetare nga Saranda deri në Shëngjin, Policia Kufitare ka bllokuar 8 mjete lundruese, kryesisht mjete lundrimi për argëtim.
Konkretisht në zonën “Shkëmbi i Kavajës” dhe në Dhërmi, u bllokuan 2 mjete lundruese argëtimi “Jet Ski”, drejtuesit e të cilave cenonin sigurinë e pushuesve për shkak se kryenin manovra të rrezikshme, jashtë perimetrit të përcaktuar për këto mjete.
Ndërsa 6 mjete të tjera, 3 “Jet Ski”, 2 gomone dhe 1 Skaf, u bllokuan pasi u konstatuan duke lundruar në cenim të ligjit dhe rregullave të lundrimit.
Ndëshkohen me masa administrative nga 10 mijë dhe 100 mijë lekë të rinj, drejtuesit e tyre.