Policia ka dhënë informacionin zyrtar në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në një pallat në Tiranë ku ashensoriu rrëzua dhe 2 persona mbetën të lënduar. Sipas bluve shkak i rënies së ashensorit ka qenë tejkalimi i kapacitetit pasi në të lejoheshin vetëm 2-3 persona në të njëjtën kohë.
Dy personat e dëmtuar si pasojë e këtij incidenti janë jashtë rrezikut për jetën dhe pasi kanë marrë mjekim në spital janë larguar për në banesë.
Njoftimi i policisë:
Në lidhje me informacionin paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme, për ngjarjen e ndodhur në rrugën “Aleksandri i Madh”, ku ashensori i një pallati ra nga kati i pestë në katin zero, ju informojmë se nga veprimet e para hetimore dyshohet se shkaku i rënies së ashensorit ka qenë tejkalimi i kapacitetit, pasi në ashensor kishin hipur 5 persona, ndërkohë që kapaciteti i lejuar ishte 2-3 persona. 2 personat e dëmtuar, pasi kanë marrë mjekimin në spital, janë larguar në banesë, ndërsa 3 të tjerët nuk kanë pësuar dëmtime.
Materialet për këtë rast u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për vlerësim.