Ditën e djeshme në Vermosh u rrëzua avioni i dyshimtë, pa asnjë shenjë identifikuese e me pilotin ende të paidentifikuar. Dy persona dyshohet të kenë qenë në avionin privat.
Forcat e Policisë, ekspertë të kriminalistikës dhe grupi hetimor kanë qëndruar në vendin e ngjarjes deri në orët e vona të mbrëmjes për të mbledhur prova të mjaftueshme që do të çonin në zbardhjen e plotë ku pista kryesore është trafiku i narkotikëve.
NGJARJA
Ka qenë ora 9 e mëngjesit të djeshëm, kur avioni i vogël është ulur në mënyrë emergjente në një livadh në zonën e Kelmendit, në një distancë jo të largët nga kufiri me Malin e Zi. Avioni ka tentuar të ngrihet përreth 30 minuta, por nuk ka mundur për shkak të defektit që kishte pësuar. Policia e Shkodrës ka marrë informacion disa orë më vonë për rrëzimin e avionit
ARRATISJA
Avioni që përdoret kryesisht për qëllime private për shkak të kapacitetit të vogël, ka pësuar avari gjatë fluturimit dhe më pas ka kryer ulje emergjente në zonën me lartësi të madhe. Drejtuesi i avionit dhe shoqëruesi kanë tentuar të ringrihen në ajër për më shumë se një orë, por pa mundur. Madje, ata nuk kanë lejuar të afrohen as barinjtë që ndodheshin në zonë, të cilët janë afruar për ndihmë, duke menduar se mund të jenë të plagosur. “Largohuni prej këtu se nuk kemi nevojë për ndihmë”, mësohet të kenë deklaruar dy burrat.
Sipas dëshmive të pakta që vijnë nga zona e Malësisë së Madhe, pranë avionit të rrëzuar është afruar një fuoristradë e bardhë, duke marrë prej andej dy personat që ishin brenda mjetit të vogël të transportit ajror. Në vendin e ngjarjes, vihen re gjurmët e gomave të automjetit. Në këtë mënyrë, piloti dhe pasagjeri kanë braktisur në rrethana misterioze avionin, çka ngre dyshime për përfshirjen e tij në aktivitete të paligjshme. Nuk dihet ende nëse avioni është përfshirë në transportin e ngarkesave të lëndës narkotike kanabis sativa që mbillet në zonat malore të Mbishkodrës.
Nga sa është bërë e ditur nga burimet, por edhe si rezultat i dëshmive, avioni ka tentuar rreth orës 09:00 të ngjitet, por nuk ia ka dalë. Ai ka pushuar për 30 minuta dhe më pas ka tentuar sërish, por është përplasur me gardhin e kësaj fushe si dhe ka përfunduar mes pemës, gjethet e së cilave kishin përfunduar edhe brenda avionit. Ajo që është arritur të mësohet deri më tani, mes shumë pikëpyetjeve që vijnë për këtë ngjarje, është se piloti së bashku me personat që e kanë ndihmuar me fuoristradën e bardhë dyshohet se janë larguar ilegalisht drejt Malit të Zi.
Për mënyrën se si është zhvilluar ngjarja, të gjitha veprimet të çojnë drejt dyshimeve se kemi të bëjmë me trafik të drogës. Kjo për disa arsye. Së pari sepse avioni nuk ka qenë në kontakt me shërbimet e aviacionit civil. Së dyti, piloti dhe bashkëpunëtorët e tij janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, pa lënë asnjë gjurmë.
Ndërkaq policia ka dalë me njoftimin zyrtar dhe bën me dije avion sportiv dyvendësh nuk kishte dokumente të origjinës apo ndonjë dokument tjetër identifikimi. Gjithashtu grupi hetimor konfirmon se nuk u gjet asnjë send i kundërligjshëm
Policia del me një njoftim zyrtar lidhur me avionin e rrëzuar dje në Vermosh:
“Më datë 04.10.2021, në orën 12:30, në sallën operative të Komisariatit të Malësisë së Madhe, Shkodër, ka ardhur një telefonatë se në fshatin Velipojë, Vermosh, Njësia Administrative Kelmend, bashkia Malësia e Madhe, ishte rrezuar një avion sportiv.
Me marrjen e njoftimit, menjëherë në drejtim të adresës së dhënë u nisën shërbimet e Policisë dhe Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, për të verifikuar informacionin, si dhe u ngrit grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.
Nga veprimet e para hetimore dhe nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se në vijë ajrore rreth 800 m nga kufiri me Malin e Zi, është konstatuar i rrëzuar dhe i dëmtuar një avion sportiv dyvendësh, ngjyrë gri, me gjatësi 6 m, gjerësi 10.5 m (nga skaji i njërit krah te tjetri), gjatësi të krahut 4.7 m dhe gjerësi të kabinës 1.1 m., në të cilin nuk u gjendën shenja dalluese si: flamur, dokumente të origjinës apo ndonjë dokument tjetër identifikimi.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të imtësishëm të kryer nga grupi hetimor në brendësi të avionit nuk u gjet asnjë send i kundërligjshëm.
Në bashkëpunim dhe me vendet fqinje, Mali i Zi dhe Kosovë, po punohet për përcaktimin e itinerarit të fluturimit që ka ndjekur ky avion, identifikimin e pilotëve dhe të personave të tjerë të përfshirë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon veprimet hetimore për identifikimin e automjetit që ka marrë dhe larguar pilotët nga vendngjarja, si dhe për përcaktimin e shkaqeve të rënies së avionit”, njofton Policia.
/Priza.al/