Ish-kryeministri, Sali Berisha është duke mbajtur konferencën e përjavshme me gazetaret të cilën vendosi ta nisë me rrëzimin që Parlamenti i bëri një ditë më parë, rezolutës të propozuar nga Tritan Shehu dhe një grup deputetësh, për të dënuar gjenocidin në Srebrenicë. Sipas tij, ajo që ndodhi ishte një akt i rëndë dhe i turpshëm.
Berisha tha se gjenocidin e kanë dënuar shumë parlamente të vendeve të lira, por Shqipëria jo.
“Dënimi i gjenocidit është një detyrim madhor, moral por edhe ligjor ndërkombëtar. Dje në Parlament ndodhi akti më i rëndë në 30 vite. Shqipëria ishte vendi i vetëm që nuk ka dënuar asnjë nga gjenocidet që kanë ndodhur. U mohua genocidi i konfirmuar nga Gjykata. Shqipëria jo që nuk e ka dënuar, por shkalla e lartë e kriminalizimit të pseudo mazhorancës së sotme, bëri që Shqipëria dje të refuzojë një rezolutë për dënimin e gjenocidit në Bosnje.
Pretendimet e Ballës dhe Ramës janë trillime të neveritshme të personave të inkriminuar në çdo qoshe dhe skaj të psikologjisë së tyre. Edi Rama dhe Balla mashtrojnë, të kriminalizuar në çdo skaj të karakterit të tyre kur thonë se nuk është votuar kundër rezolutës. Nuk është e vërtetë që u shty për më vonë. Ata që i bënë mbrojtjen gjenocidit dje kryejnë vepra penale”, tha Berisha.