Një avion mallrash, Antonov, e një linje ajrore ukrainase, u rrëzua mbrëmjen e së shtunës pranë qytetit Kavalla në Greqinë veriore.
Në bord ndodheshin tetë persona u bazuar në informacionet nga zjarrfikësit dhe televizioni shtetëror i Greqisë.
Nuk është ende e qartë se çfarë ngarkese kishte avioni, derisa autoritetet nisën hetimet në vendin e ngjarjes. “Ne po e trajtojmë ngarkesën si një material të rrezikshëm”, tha një zyrtar i brigadës së zjarrfikësve, transmeton zougla.gr.
Sipas kësaj agjencie lajmesh, autoritetet greke të aviacionit civil njoftuan se avioni po fluturonte nga Serbia për në Jordani. Gjithashtu thuhet se avioni ishte i kompanisë Meridian. Sipas disa raporteve, piloti arriti t’i informonte autoritetet për një problem në njërin nga motorët e avionit. Atij, më pas, iu kërkua të aterojë në aeroportin e Selanikut ose Kavallës, raportojnë mediat.
Pasi mori drejtimin për në Kavallë, avioni u rrëzua rreth 40 kilometra në perëndim të aeroportit të këtij qyteti, tha Autoriteti i Aviacionit Civil grek. Rrëzimi i avionit u konfirmua edhe nga Flightradar.24 – një sistem që gjurmon avionët në kohë reale.
“Një aeroplan mallrash Meridian An-12BK u rrëzua pranë Kavallës në Greqi, në rrugën nga Nishi për në Aman”, tha Flightradar.24. Vendasit raportuan se kishin parë një top zjarri. Shpërthimet shkaktuan spekulime mes banorëve dhe disa mediave greke se avioni transportonte eksploziv. Transmetuesi shtetëror, ERT, raportoi se ekspertët ushtarakë të eksplozivëve janë duke shkuar në vendin e ngjarjes.