Sot është shënuar rekord i rasteve pozitive me koronavirus në Kosovë. 1 mijë e 9 qytetarë kanë dalë pozitivë në testin për COVID-19.
Si pasojë e rritjes së numrit të rasteve pozitive gjatë ditëve të fundit, Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen në të cilën ka vendosur për masat e reja anti-COVID.
Sipas Qeverisë, masat për ruajtjen e shëndetit publik dhe mbrojtjen nga COVID-19 janë menduar si të domosdoshme për të kufizuar transmetimin dhe për të zvogëluar vdekjet.
Mbajtja e dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe mbrëmjeve të maturës, lejohet deri në ora 01:00. Organizimi i dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe mbrëmjeve të maturës, është i lejuar me kusht që të shfrytëzohet 50% e kapacitetit të hapësirës, por jo më shumë se treqind (300) të ftuar në rastet kur 50% e kapacitetit të hapësirës tejkalon këtë numër. Distanca në mes të tavolinave duhet të jetë tri (3) metra. Për mbajtjen e dasmave, fejesave, ahengjeve familjare dhe mbrëmjeve të maturës, obligohet respektimi i udhëzuesit të veçantë për ahengje”, thuhet në vendim.
Klubet e natës lejohet të zhvillojnë aktivitetin e tyre nga ora 23:00 deri në ora në ora 03:00. Kryerja e pagesave si dhe lirimi i hapësirës nga ana e klientëve në klubet e natës duhet të bëhet deri në ora 03:15. Në ambientet e mbyllura të klubeve të natës lejohet shfrytëzimi deri në 50% e kapacitetit të hapësirës. Në ambientet e hapura të klubeve të natës lejohet shfrytëzimi deri në 70% e kapacitetit të hapësirës”, thuhet në vendim.
Ndërkaq nga 20 gushti e deri më 10 shtator, hyrja në ambientet e klubeve të natës, diskotekave dhe ambienteve ku mbahen dasmat, fejesat, ahengjet familjare e të ngjashme, tubimet masive do lejohet vetëm me Certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një dozë të vaksinës kundër COVID-19. Testi RT-PCR negativ për COVID-19 jo më vonë se 72 orë ose dëshmi se personi ka kaluar virusin.
Ky vendim thuhet se është bazuar në vlerësimin e situatës epidemiologjike dhe kapaciteteve të sistemit shëndetësor për t’u përgjigjur, por duke i vlerësuar ato edhe nën dritën e efekteve të këtyre masave që mund të ketë në mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë dhe individëve.
/Priza.al/