“Rritët çmimet, duhet të ngrini rrogat”, Rama: S’do i shmangemi asnjë zotimi që kemi marrë, do të rriten gradualisht

Kryeministri Edi Rama tha se nuk do të ketë rritje rrogash e pensionesh me rritjen e çmimeve, por se do të mbahen zotimet që kjo qeveri ka marrë për rritjen e tyre vit pas viti.

Në një konferencë për mediat pas mbledhjes së jashtëzakonshme të qeverisë ku u shpall emergjenca e furnizimit me energji elektrike, Rama tha se rrogat rriten sipas kapaciteteve ekonomike.

“Kërkesa meqë rritët çmimet, rrisni rrogat, nuk funksionon kështu. Sepse rrogat nuk rriten sepse dua unë. Nuk ekziston një kryeministër që nuk do donte të rriste rrogat e pensionet menjëherë sa njerëzit do kërkonin. Po kjo është njësoj në shtëpinë e vogël pse nuk i rrit paratë që u jep fëmijëve. Do i gjesh nga puna ose borxh. Nëse do i japësh më shumë, do detyrohesh të shesësh shtëpinë. Nëse rrogat do rriteshin sipas dëshirave mirë ne që nuk kuptokemi, por Gjermania e Franca nuk i paska bërë 20 mijë euro për person. Rrogat rriten sipas kapaciteteve ekonomike. Rritet zinxhiri i vlerave dhe rriten të ardhurat e më pas rrogat e pensionet. Që të rriten të ardhurat duhet të ecim me vendosmëri përpara. Nuk do i shmangemi asnjë zotimi që kemi marrë. Rroga do të rritet vit pas viti, rroga minimale për vitin tjetër 320 mijë lekë. Pagat e tjera patjetër që do i rrisim vit pas viti, për mësuesit e infermierët, patjetër dhe sektori privat”, deklaroi Rama.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *