Rritet frikshëm bilanci/ Shkon në 21.700 numri i viktimave, zvogëlohen shpresat për të mbijetuar

Numri i viktimave nga tërmeti shkatërrues që goditi kufirin Turqi-Siri të hënën vazhdon të rritet, ku deri më tani raportohen 21,719 viktima dhe mbi 75 mijë të plagosur.

Zyrtarët dhe mjekët turq konfirmuan se 18,342 njerëz kishin vdekur në Turqi, ndërsa në Siri janë konfirmuar 3,377 viktima, duke e çuar totalin në 21,719.

Ky tërmet renditet si fatkeqësia e shtatë më vdekjeprurëse natyrore këtë shekull, pas tërmetit dhe cunamit të Japonisë në vitin 2011 dhe duke iu afruar 31,000 të vrarëve nga një tërmet në Iranin fqinj në 2003.

Operacionet e kërkim shpëtimit vazhdojnë edhe ditën e 5-të pas tërmetit, pavarësisht se shanset për të gjetur persona të gjallë nën rrënoj vazhdojnë dhe zvogëlohen. Por pavarësisht kësaj shpëtimi i disa të mbijetuarve nga rrënojat e ndërtesave në Turqi, edhe pas 90 orësh nën rrënoja ka ngritur shpirtin e ekuipazheve të lodhur të kërkimit të cilët vazhdojnë të punojnë pa ndalim.

Ndërkohë që të paktën 120 pasgoditje janë regjistruar pas tërmetit të fuqishëm të së hënës, ku tre nga pasgoditjet ishin me magnitudë 6.0 ose më shumë, duke përfshirë tërmetin me magnitudë 7.5 që goditi 95 kilometra në veri të epiqendrës së tërmetit kryesor.

Nga ana tjetër gjendja e jashtëzakonshme e krijuar në Siri, ka detyruar SHBA të heq disa nga sanksionet e implikuar ndaj regjimit të Bashar al-Assad, që pengonin dërgimin e ndihmave. Departamenti Amerikan i Thesarit njoftoi se kishte lëshuar një licencë për të lejuar kalimin e ndihmave të lidhura me tërmetet, të cilat në kushte normale do të ndaloheshin pasi përfshiheni në sanksionet ndaj Sirisë .

Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka njoftuar se është nisur për në Siri, ku kriza humanitare e shkaktuar është përkeqësuar si shkak i sanksioneve perëndimore.

“Unë jam rrugës për në Siri, ku OBSH po mbështet ofrimin e kujdesit bazë shëndetësor në zonat e prekura nga tërmeti i fundit, duke u mbështetur në punën tonë afatgjatë në vend,” shkroi Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Për të përballuar krizë e krijuar nga tërmeti Banka Botërore do t’i japë Turqisë 1.78 miliardë dollarë (1.47 miliardë paund) . Banka Botërore tha se ndihma e menjëhershme prej 780 milion dollarë do të ofrohet nëpërmjet komponentëve të kontigjentit të reagimit emergjent nga dy projekte ekzistuese në Turqi.

Ndërkohë, SHBA ka premtuar 85 milionë dollarë ndihmë për Turqinë dhe Sirinë. Vendet duke përfshirë Francën dhe Gjermaninë kanë dërguar gjithashtu para dhe mbështetje, siç ka bërë Greqia, e cila ka pasur mosmarrëveshje afatgjata me Turqinë.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *