Gatishmëria luftarake e ushtrisë serbe është ngritur për shkak të dronëve që kanë hyrë në Serbi nga Kosova dhe kanë vëzhguar pozicionet dhe objektet e ushtrisë serbe.
Kështu, më 2 nëntor, ministri i Mbrojtjes Millosh Vuçeviq ka shpjeguar vendimin e presidentit të Serbisë, i cili një ditë më parë ka dhënë urdhër për vendosjen e ushtrisë në gatishmëri.
Kosova mohoi që dronët të vinin nga territori i tyre.
Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj tha se pretendime të tilla janë mjet për përhapjen e panikut te qytetarët.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë katër viteve të fundit disa herë e ka ngritur gatishmërinë luftarake të ushtrisë.
Urdhërat e tilla kanë ardhur për shkak të vendimeve dhe lëvizjeve të ndryshme të autoriteteve në Kosovë, të cilat Beogradi i kundërshton dhe të cilat do të pasohen me protesta të pjesëtarëve të komunitetit serb në veri të Kosovës.
Tensionet u qetësuan nga ndërhyrjet diplomatike të komunitetit ndërkombëtar.
Lajmi se presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka urdhëruar vendosjen e ushtrisë në gatishmëri është bërë i ditur më 1 nëntor nga ministri i Mbrojtjes duke përmendur si arsye “situatën në Kosovë”.
Vetë Vuçiq nuk ka folur dhe ministri Vuçeviq nuk ka shpjeguar pse një vendim i tillë do të merret për shkak të Kosovës dhe as çfarë do të thotë konkretisht në praktikë.
Përgjigje në këto pyetje të Radios Evropa e Lirë (RSE) nuk kanë arritur as nga Ministria e Mbrojtjes.
Në të njëjtën ditë, ministri kompetent ka vizituar pjesëtarët e Forcave të Armatosura të Serbisë në rajonin e Rashkës afër kufirit me Kosovën, ku po zhvillohet stërvitja trejavore “Manovrat 2022” për stërvitjen e forcave aktive dhe rezervë të ushtrisë.