Rritet industria kozmetike; Formula e bukurisë “Made in Albania”

Qelizat e industrisë kozmetike dhe kujdesit personal “Made in Albania” funksionojnë të ndara. Sot ka raste suksesi të produkteve të formuluara këtu dhe të prodhuara jashtë, laboratorë prodhimi vendas që kanë klientë nga Dubai, Londra e SHBA, prodhime artizanale cilësore që luftojnë të vetëm për mbijetesë.
Baza e kësaj industrie janë bimët mjekësore. Shqipëria eksporton 95% të sasisë së kultivuar apo të mbledhur, duke mos përfituar nga vlera e shtuar e tyre kur i nënshtrohen përpunimit.
Aktorët e tregut në të gjitha hallkat pohojnë se potenciali është i madh. Dikush mbi palët duhet të bashkojë të gjitha këto hallka, në një zinxhir që funksionon dhe mbështetet siç duhet për t’u rritur e për t’u zhvilluar në dimensione të reja.

Nertila Maho

Dhjetë vite më parë, motrat Mikena dhe Ada, të cilat kishin pasion të bukurën, krijuan formulën e një kombinimi vajor. Sot ai është produkti më i shitur i kompanisë së tyre dhe mban të stampuar “Made in France” (prodhuar në Francë).

Formulimi ekskluziv “shqiptar” për shkak të kushteve të tregut nuk mund të mbetej i tillë deri në fund. Aktualisht, “Ada Herbs”, pjesë e titujve të revistave të huaja të bukurisë si “Vogue”, “Glamour” dhe “Health & Wellbeing”, numëron në portofolin e produkteve linja të plota kujdesi për flokët, fytyrën dhe trupin, të cilat ndjekin të njëjtin cikël: formulohen këtu, por prodhohen jashtë.

“Krijimi i çdo formule nis nga Shqipëria, sepse këtu jemi ne. Produktet tona formulohen, krijohen e më pas në kushte sigurie dhe patentimi prodhohen në Francë, pasi kanë kaluar të gjitha etapat e standardizimit të nevojshëm të certifikimeve që mbartin.

Lënda e parë sigurohet nga e gjithë bota, më së shumti Jugu i Francës, ku ndodhen laboratorët tanë. Filtrat e nevojshëm për sigurinë e produkteve tona kalohen me standardet e BE dhe ekselencën e prodhimit francez”, – pohojnë themelueset e kompanisë.

Sipas tyre, Shqipëria është pjesë jo e drejtpërdrejtë, për arsyen e thjeshtë se tregtimi dhe prodhimi i lëndës së parë për kozmetikën është i vështirë.

“Kjo është edhe një nga arsyet që na ka drejtuar ta zhvendosim prodhimin tonë në Francë, kryeqendrën botërore të kozmetikës cilësore dhe me standard.

Sigurisht kjo edhe si vendim strategjik të kompanisë, për të qenë në tregun europian dhe atë amerikan. Të hedhësh në treg një produkt ‘Made in France’ mbart seriozitetin dhe përgjegjshmërinë e një prej superfuqive më të mëdha në botë”, – nënvizojnë ato.

Kufizimet teknologjike dhe ato laboratorike e bëjnë Shqipërinë pak tërheqëse për të zhvilluar një industri me potencial siç është ajo e kujdesit personal dhe kozmetik. Themi potencial, pasi Shqipëria është një ndër 25 eksportuesit kryesorë në botë të bimëve mjekësore, duke kultivuar apo duke mbledhur mbi 330 lloje.

“Shqipëria ka shumë potencial njerëzor, klimë të jashtëzakonshme, bimësi të shumëllojshme e të rrallë. Por bëhet shumë e vështirë në momentin që përballemi me mungesën e theksuar të infrastrukturës teknologjike, laboratorike në vend.

Shqipëria, momentalisht, nuk ofron as teste mikrobiologjike për produktet kozmetike, qoftë në laborator privat apo shtetëror, ndaj dhe krijimi i produkteve kozmetike në Shqipëri kërkon shërbime të shumëfishta nga jashtë, duke shënjuar rritje të skajshme të kostove, të cilat nuk e justifikojnë standardin”, – shprehen Ada dhe Mikena.
/monitor

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *