Tregu i pensioneve private vullnetare u rrit më tej në tremujorin e parë të këtij viti.
Të dhënat e nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se numri total i anëtarëve arriti në 37 060 anëtarë.
Gjatë tremujorit të parë të vitit, numri i anëtarëve të fondeve është zgjeruar me 1.5%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar rritja e numrit të anëtarëve ka arritur në 7.2%.
Numri i individëve pjesëmarrës në fondet private të pensioneve po rritet me ritme të qëndrueshme, por mbi një bazë të ulët dhe depërtimi i këtyre skemave ngelet ende shumë i ulët.
Numri i individëve që kontribuojnë për një pension privat ngelet në afërsisht 2.7% e numrit të përgjithshëm të të punësuarve në vend, çka tregon një nivel ende shumë të ulët të mbulimit me fonde private të pensioneve.
Vlera e aseteve neto të fondeve të pensionit në fund të muajit mars arriti në 5.97 miliardë lekë, në rritje me 4.7% që nga fillimi i vitit dhe me 22.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Asetet e fondeve të pensioneve janë të investuara kryesisht në obligacione të qeverisë shqiptare. Për nga vlera e aseteve, tregu i fondeve private ngelet ende segmenti më i vogël i tregut financiar në Shqipëri.
Deri në fund të tremujorit të parë, në treg ishin aktive pesë fonde të pensioneve private. Sipas numrit të anëtarëve, aktori më i madh në treg është Credins Pension, me rreth 50.89% të numrit të përgjithshëm të anëtarëve, i ndjekur nga Sigal Pension me 28.84%, Albsig Pension me 10.41% dhe Raiffeisen Pension me 9.82% dhe fondi më i ri, Smart Pension, me 0.05%.
Për nga vlera e aseteve neto, fondi më i madh është Sigal Pension me 43.43% të totalit, i ndjekur nga Credins Pension, me 29.58%, Raiffeisen Pension, me 21.05% dhe Albsig Pension me 5.79% dhe Smart Pension, me 0.15%.
Projektligji i ri për fondet private të pensioneve, që pritet të miratohet së shpejti nga Kuvendi i Shqipërisë, synon t’i bëjë investimet për një pension privat në pleqëri më tërheqëse. Projektligji parashikon rritjen e përjashtimit nga taksat si për kontributet e punëmarrësve, ashtu edhe për ato të punëdhënësve.
Aktualisht kufiri maksimal për lehtësitë tatimore mbi kontribut, është vlera më e vogël, që del nga krahasimi i shumës 200 mijë lekë dhe 15% të të ardhurave vjetore bruto të anëtarit.
Sipas projektligjit, kufiri maksimal mujor i përjashtimit tatimor do të rritej deri në nivelin e pagës minimale të miratuar, që aktualisht ka arritur në 40 mijë lekë në muaj.
Projektligji gjithashtu parashikon që pensionet të mos tatohen në përfitim për pjesën e kontributeve, por vetëm për kthimin nga investimi, me kusht që tërheqja të bëhet me pagesa mujore të shtrira në të paktën dy vite dhe jo në mënyrë të menjëhershme pas përmbushjes së kushteve ligjore për përfitimin e pensionit privat.
Megjithatë, shoqëritë administruese të fondeve kanë kërkuar më shumë incentive. Ato kërkojnë përjashtimin e plotë të përfitimit nga pensioni privat prej tatimit, duke përfshirë edhe edhe pjesën e kthimit nga investimi./Monitor