Kreu i PD, Sali Berisha, tha se rritja e çmimeve po i bën qytetarët të braktisin Shqipërinë.
Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se çmimet e ushqimeve janë rritur 30-40% brenda 6-muajve dhe janë në një nivel gati 10% më të larta se në vendet e BE-së, ku pagat janë 5-6 herë më të larta. Sipas tij, qeveria ka goditur dhe biznesin e vogël, ku propagandon heqjen e taksave por u ka rritur energjinë elektrike gati 3-fish në raport me 2013-ën.
“U bien borive dhe thuhet se biznesi i vogël nuk ka asnjë taksë. Mashtrues të paskrupullt. Vetëm me tarifën e energjisë biznesi i vogël paguan 3-fishin e asaj që paguante në vitin 2013. Tregojnë shifrat, në vitin 2013 kishte 210 mijë biznese, sot ka 107 mijë biznese të vogla.
Çfarë ndodh? Një përçmim ndaj qytetarëve, një shumëzim me zero ndaj grupeve të biznesit, sikur nuk ekzistojnë. Është krijuar një klimë që qeveritarët t’i thonë çdo gjë qytetarëve sikur nuk janë qënie reale dhe janë kukulla.
Del aty zëdhënësja e Edi Ramës, para kamerave dhe një pallati dhe thotë misteri i pallatit, misteri i rryshfetit të pallatit. Si mund ta thotë një qeveritare këtë. Përpiqen të lajnë duart me këtë xhungël me ndërtimet në Tiranë, sikur nuk ka ligje dhe më pas i legalizojnë. Ato janë shtesa të gjitha të partisë se demokratët nuk shkelin ligjin. Ata me ligj janë të ndaluar por, do bëj një vendim të qeverisë që t’i legalizojë.
Pse ikin qytetarët? Ikin në dëshpërim se varfëria po troket gjithnjë e më shumë në dyert e shqiptarëve. Çmimet janë rritur me 30-40% dhe në raste të caktuara me 100%. Sot ushqimet në Shqipëri janë 10 % më të larta se në Bashkimin Evropian ndërkohë që në raport të ardhurat janë 5 deri në 6 herë më të ulëta”, tha Berisha.