Në kushtet kur rritja e çmimeve vijon, Ministria e Financave parashikon ndryshime në buxhet me qëllim që të vijojë mbështetjen për shtresat në nevojë. Burime për median bëjnë me dije se qeveria do të shtyje deri në fund të vitit efektin e paketës se rezistencës sociale të prezantuar së pari në muajin Mars.
Mësohet se edhe për 6 muajt e mbetur të vitit 2022 në paketën e rezistencës 2 fokusi do të jenë pensionistët dhe shtresat në nevojë. Në paketën e parë financiare që mbyllet këtë Qershor qeveria vendosi t’u japë pensionistëve dhe familjeve në nevojë nga 3 mijë lekë për 3 muaj. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se edhe për muajt e tjetër të vitit skenari është i njëjtë. Janë 434 mijë qytetarë që do të përfitojnë këtë ndihmë. Paketa e parë që është aktualisht në fuqi realizoi indeksimin e pensioneve me 3.3 miliardë lekë, kompensim me 3 mijë lekë për pensionistë e familje në nevojë, mbështetje 1.5 miliardë lekë për fermerët, 500 milionë lekë që mos të rritej çmimi i transportit publik, fond 20 miliardë lekë për energjinë elektrike dhe ndryshim të taksës progresive e rritjes së pagës minimale.
Ende nuk dihet nëse me paketën e dytë do të mbështeten edhe kategori te tjera qytetarësh, por burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur se të ardhurat shtesë vetëm nga rritja e çmimeve në buxhet përgjatë 5 muajve të parë të vitit janë 13 miliardë lekë, ndërkohë që deri më tani janë alokuar afro 6 mld lekë për paketën anti-krizë dhe 20 miliardë lekë janë vënë në dispozicion si garanci për kompensime të energjisë elektrike në mënyrë që të mos rritej çmimi i energjisë për konsumatorët familjarë, fond i cili nuk është prekur ende pasi situata në kaskada ka qenë e mirë./BW